Rusi, Medvedev kritikon sigurinë e aviacioneve

Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, i cili ka vizituar vendin ku ditën e djeshme është rrëzuar një aeroplanit, ka kritikuar kushtet e sigurisë së aviacionit në Rusi, dhe ka kërkuar hetime gjithëprëfshirëse për rrëzimin e aeroplanit, ku humbën jetën 43 vetë, përfshirë edhe lojtarët e një ekipi shumë të njohur të hokejit në akull në Rusi. Ai vlerësoi se ky rrëzim i aeroplanit paraqet tragjedi për gjithë Rusinë.
“Ky është një shok për gjithë vendin, sikur që është edhe në raste të tjera të katastrofave të këtilla. Por, kjo kishte edhe një pikë shtesë, pasi në aeroplan ishte ekipi që ishte i dashur jo vetëm në Jarosllavl, por edhe në gjithë vendin. Ky ishte njëri nga ekipet më të mira dhe më të sukseshme në vendin tonë. Kjo është humbje e madhe jo vetëm për të gjitha familjet, por për shtetin në tërësi dhe për të gjithë simpatizuesit”, tha Dmitri Medvedev.
Në aeroplan ndodheshin lojtarët e klubit të hokejit në akull, Lokomotiva Jarosllavl, që tri herë ishte kampion i Rusisë. Në mesin e lojtarëve që humbën jetën kishte edhe shtetas të Bjellorusisë, Çekisë, Suedisë, Sllovakisë dhe Kanadasë. Trupat e pajetë të 43 vetëve janë gjetur, ndërsa dy personat që e mbijetuan këtë përplajse, janë në gjendje kritike shëndetësore.