E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi-SHBA, përgatitje për shkëmbimin e 10 të akuzuarve për spiunazh

Mund “të ndërrohen” me një spiun të CIA-s, që vuan dënimin në Rusi

Një shkëmbim të burgosurish po planifikohet për të dërguar 10 të dyshuarit rusë për spiunazh në Rusi. Një person i burgosur në Rusi për spiunim te CIA, mund të këmbehet me grupin e zbuluar të të akuzuarve për spiunazh që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I burgosuri Igor Sutyagin ka deklaruar se pret që të niset për në Vjenë me avion dhe më pas në Londër. Ndërkaq, as autoritetet ruse dhe as ato amerikane nuk kanë bërë ndonjë koment në lidhje me këtë lajm. Ky lajm që ka ngjallur shumë spekulime ka bërë që një diplomat i lartë amerikan të takohet me ambasadorin rus në Uashington. Deri më tani nuk janë dhënë detaje në lidhje me këtë gjë. Po të mërkurën, një gjykatë në Virxhinia ka shtyrë një seancë që duhej ta mbante dje për tre nga të dyshuarit rusë për spiunazh, për shkak të transferimit që i ka bërë çështjes në një tjetër gjykatë. Ndërkohë, nuk janë bërë të ditura arsyet e një transferte të tillë. Muajin e kaluar janë arrestuar 10 spiunë rusë të dyshuar për spiunazh dhe për veprimtari ilegale dhe të paligjshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po dje, burime të një gazete të përditshme amerikane bënë të ditur se qeveria federale ishte në kërkim të një zgjidhjeje të shpejtë të situatës. Për sa i përket rusit që mbahet për spiunazh në Rusi, ai po kryen një vendim gjyqësor prej 15 vitesh për dhënie të informacionit të ndaluar një firme britanike, e përdorur si mburojë nga CIA. Sipas të vëllait të tij, Dimitit, i është thënë nga zyrtarët rusë se ai do të lihet i lirë pas një shkëmbimi që do të bëhet me amerikanët për një numër të pacaktuar spiunësh. Sipas disa analistëve, nëse këmbimi do të realizohet, atëherë të dyja vendet do të shmangin me këtë rast një publicitet jo fort të këndshëm të të gjitha historive, nëse gjyqi i spiunëve do të çelet në Shtetet e Bashkuara. Një gjë e tillë mund të çonte në acarim të marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve. Sipas një eksperti të spiunazhit rus, këmbimi do të ishte një mënyrë e mrekullueshme për të dalë jashtë dhe pa pasoja nga një situatë shumë e ndërlikuar spiunazhi.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›