E Diel, 1 Nëntor 2026

Minarolli: Bordi respektoi ligjin e kinematografisë

Reagimi

Artan Minarolli, drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike e quan të çuditshme ankimin e organizatorëve të “Tirana 48 Hour Film Project” për vendimin e Këshillit Miratues të Projekteve. Për më tepër sipas tij, nuk është e logjikshme organizimi i një proteste kur vendimi për të mos e financuar këtë festival vjen nga një bord i përbërë nga profesionistë dhe i zgjedhur nga shoqatat e kineastëve. “Bordi nuk e mori në shqyrtim këtë projekt, meqenëse kishin kaluar afatet dhe sipas ligjit “Për Kinematografinë”, Qendra Kombëtare financon vetëm projektet kinematografike. Kjo do të thotë që një projekt ndryshon shumë nga një aktivitet që ka mbaruar. QKK-ja është institucion që varet nga shteti dhe funksionon konform ligjeve. Të njëjtën gjë bëri Këshilli Miratues, në krye të të cilit është shkrimtari Teodor Laço dhe anëtarë Esat Musliu, Agron Tufa, Bujar Lako dhe Agron Neziri. Ky bord, rrëzoi edhe projektet e dy festivaleve të tjera që nuk i përmbushnin kriteret”, shprehet Minarolli. Sipas tij, pretendimi që rasti i “Giffoni FilmFestival” është i ngjashëm nuk qëndron, pasi bordi ka vendosur ta marrë në shqyrtim për fazën e dytë të këtij festivali që organizohet në muajin tetor. Në reagimin e tij, kryetari i QKK-së sqaron se askush nuk u ka premtuar organizatorëve financim. “Unë, si drejtor i këtij institucioni nuk kam asnjë ndikim në vendimet që merr Këshilli Miratues për projektet. Sigurisht që unë kam predispozitën për të inkurajuar krijuesit, por në fund të fundit, të gjithë janë në një garë të barabartë”, thotë Minarolli duke lënë të kuptohet se reagimet e organizatorëve të “Tirana 48 Hour Film Project” nuk do ta ndryshojnë vendimin e marrë tashmë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›