Rusi, eksperti: Ky është i nxehti më i madh i njëmijë viteve të fundit
Rusia po përjeton valën më të nxehtë të njëmijë viteve. Kështu ka deklaruar shefi i shërbimit meteorologjik në Rusi, Aleksandr Frolov, i cili ka sqaruar situatën emergjente që vazhdon prej më se një muaji. “As ne, as paraardhësit tanë nuk kanë qenë dëshmitarë të një fenomeni të tillë që prej njëmijë vjetësh”, është shprehur për një stacion televiziv Frolov. Ai ka shpjeguar po ashtu se ky është një rast unik që nuk gjen precedent në arkiva. Temperaturat në Shën Petërburg vazhdojnë të kalojnë 37 gradët. Autoritetet ruse kanë shpallur gjendjen e emergjencës rreth një fabrike për përpunimin dhe depozitimin e mbeturinave bërthamore në Urale, për shkak të përhapjes së zjarrit në këtë zonë. Për ditën e sotme është planifikuar një takim urgjent, me qëllim bashkërendimin e përpjekjeve për shpëtim nga situata emergjente. Qendra ndodhet në rajonin e Cheliabinskut, 2000 kilometra larg Moskës.
Pasojat
Ndërkaq qeveria e Moskës ka vlerësuar të ardhurat nga të korrat e grurit, të parashikuar tashmë në rënie nga 35 për qind në krahasim me vitin e kaluar për shkak të të nxehtit rekord dhe zjarreve që kanë vënë në gjunjë vendin. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve “Interfax”. Ministria e Bujqësisë ka dalë me një raport që bën të ditur se do të ketë ulje të prodhimit me 20-25 për qind. Sipas Frolov, këtë vit parashikohet që të mblidhet 67 milionë ton grurë, ndërkohë që vjet u prodhua 97 milionë tonë. Zjarret mendohet të kenë pasoja negative edhe prodhimin e patateve dhe të panxhar sheqerit. Dëmet mund të llogariten në muajin shtator, por deri tani, ekspertët shprehen se katastrofa arrin shifra dëmtimesh rekord.
Zjarret
Në 48 orët e fundit në Rusi janë përhapur rreth 270 vatra zjarri, duke e bërë gjendjen në vend mjaft kritike. Lajmi u bë i ditur nga zyrtarë, të cilët nuk dhanë asnjë shpresë për përmirësimin apo shuarjen e tyre. Rreth 554 zjarre po ashtu kanë përfshirë 190,000 hektarë tokë. Një tjetër shqetësim për momentin mbetet edhe ndotja e ajrit nga tymi, që është tejkaluar tepër në lidhje me normën. Zjarret në Rusi kanë lënë të vdekur 52 njerëz dhe shumë të tjerë kanë pësuar dëmtime të rënda.
Lidhjet
Frolov bën të ditur që i nxehti i madh në Rusinë Qendrore, shirat e furishëm në Europën Qendrore dhe përmbytjet në Indi dhe Pakistan janë të lidhura. Ai mendon se anticikloni që është krijuar në Rusi ka një efekt të drejtpërdrejtë në përmbytjet e vendeve të tjera.
BOX
Rreshjet, përmbytje në Saksoni, Poloni, Pakistan dhe Indi
Reshjet e fuqishme të shiut kanë shkaktuar përmbytje në Lindje të Gjermanisë, Poloni, Çeki, por edhe në Pakistan dhe Indi. Nga çarja e digave në pjesën polake dhe nga vala e vërshimit të ujit në nivelin shtatë metra janë përfshirë edhe zonat përgjatë lumit “Neise” në Gjermani. Disa fshatra e qyteza ndodhen nën ujë dhe rrugët janë bllokuar. Deri tani numri i viktimave nga përmbytjet ka arritur në 8 vetë. Më parë reshjet e dendura të shiut dhe çarja e një dige në liqenin Vitka në kufi me Poloninë, shkaktuan ngritjen e nivelit të lumit Neise mbi shtatë metra. Niveli normal është 1,7 metra. Ndërkohë në zonat e përmbytura në Pakistan puna e skuadrave të shpëtimit po pengohet shumë nga shirat e mëdha të monsunit. Sipas të dhënave të fundit kanë humbur jetën rreth 1.800 vetë. Në disa pjesë të vendit infrastruktura është shkatërruar thuajse krejtësisht. Kryeministri pakistanez Yousuf Raza Gilani, deklaroi se vendi i tij nuk ka fuqi për të përballuar i vetëm pasojat e katastrofës.
Hagë
Farrou hedh poshtë dëshiminë e Kembëll për çështjen “Tejlor”
Aktorja e njohur, Mia Farrou, dëshmoi dje në Tribunalin e Hagës, në gjykimin e ish-presidentit të Libisë, Çarls Tejlor. Ky i fundit akuzohet për krime në luftën civile në Siera Leone. Tribunali i Hagës ka ftuar Farroun dhe Kerol Uajt, ish-agjenten e modeles britanike, Naomi Kembëll, që të dëshmojnë për dhuratën e diamanteve të papërpunuara, që pretendohet se Tejlor i ka dhënë Kembëllit, në një darkë në shtëpinë e Nelson Mandelës, në vitin 1997. Farrou tha para Gjykatës në Hagë se vetë Kempbell i kishte pohuar se kishte marrë një “diamant tejet të madh” nga Tejlor.
Supermodelja britanike, Naomi Kembëll, dëshmoi javën e kaluar se asaj i janë dhënë disa “gurë të papastruar” nga ish-presidenti i Liberisë, Çarls Tejlor, gjatë një darke të organizuar nga vetë ai.
Izrael
Sulmi ndaj flotës me ndihma, Netanjahu dëshmon para komisionit
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka mbrojtur sulmin ndaj flotiljes që dërgonte ndihma në Gaza, duke dhënë dëshmi përpara një komisioni të emëruar nga qeveria, që do të hetojë për këtë sulm. Ai tha se paneli do të zbulonte se Izraeli veproi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe se komandot izraelite përdorën forcë vetëm kur u ndjenë të rrezikuar. Vdekja e nëntë aktivistëve turq kur komandot izraelite bastisën anijen e tyre në ujrat ndërkombëtare çoj në protesta në mbarë botën dhe shkaktojë një krizë diplomatike mes Izraelit dhe Turqisë. Në atë kohë Izraeli tha se aktivistët që ndodheshin në anije që çonin ndihma humanitare për në Gaza, ishin të vendosur të sulmonin ushtarët e tyre. Turqia i cilësoi vrasjet si "terrorizëm i sponsorizuar nga shteti".
Kore e Veriut
Sot bisedimet të reja me zyrtarë amerikanë
Zyrtarë ushtarak të Koresë së Veriut do të takohen sot me një komandë të Kombeve të Bashkuara që udhëhiqet nga amerikanët. Takimi do mbahet pas rritjes së tensioneve në gadishullin ku gjenden të dy shtetet koreane. Komanda e OKB-së vlerëson se zyrtarët ushtarak të Koresë së Veriut janë pajtuar për një takim të nivelit të kolonelëve. Takimi do mbahet në fshatin Panmunxhon ku ishte arritur edhe pajtimi për ndarjen e dy Koreve dhe që tani është zonë kufitare në mes të dyja vendeve. Gjatë javëve të fundit, Koreja e Veriut ka kritikuar një seri ushtrimesh që SHBA-të dhe Koreja Jugore kanë mbajtur në afërsi të gadishullit të ndarë.
10 Gusht 2010