E Diel, 1 Nëntor 2026

“Virusi i Nilit”, rreziku që i kanoset Shqipërisë



Autoritetet e shëndetësisë shqiptare janë alarmuar pas shfaqjes së virusit të Nilit Perëndimor në Greqi. Pëllumb Pipero, drejtor i politikave shëndetësore në ministrinë e Shëndetësisë tha dje se rreziku që ky virus të preki vendin tonë është i lartë, po të marrim parasysh numrin e madh të emigrantëve që po kalojnë ditët e fundit kufirin grek për të ardhur në Shqipëri. Pikërisht të shqetësuar nga ky fakt Pipero shtoi se ministria e Shëndetësisë po përgatitet për një takim Task-Forc, siç e njohim ndryshe Komisionin e Sëmundjeve Infektive. Sipas Piperos vendi ynë rrezikohet nga virusi i Nilit Perëndimor, që është një sëmundje infektive. Ai bëri të ditur se duke u nisur nga të dhënat në vendin fqinjë, do të thërriten për diskutime komisioni i specialistëve për sëmundjet infektive, për të diskutuar rreth masave dhe për të shqyrtuar informacionin e deritanishëm. “Kemi bërë një udhëzim për të gjitha drejtoritë e shëndetit publik në rrethe, që nëse në këtë periudhë dikush paraqet simptoma të dyshuara, duhet shikuar mundësia e një meningiti me origjinë virale.
Masat

Ministria e Shëndetësisë do të mbledh komisionin e përbërë nga specialistë të sëmundjeve infektive për të diskutuar rreth këtij virusi dhe për të marrë masat e nevojshme për të parandaluar mbërritjen e virusit në vendin tonë. ”Pavarësisht se ndodhemi në pikun e sezonit të pushimeve verore, specialistët e sëmundjeve infektive do të gjejnë kohë dhe mundësi për t’u mbledhur dhe për të diskutuar lidhur me masat, monitorimin e situatës në vend dhe për fluksin e emigrantëve të kthyer nga Greqia”, tha Pipero. Drejtori i politikave shëndetësore në ministrinë e Shëndetësisë u bëri apel qytetarëve të kenë kujdes me higjienën, të mos neglizhojnë simptomat e para, rekomandoi shmangien e ambienteve të populluara dhe theksoi se rrezikshmëria më e madhe e këtij virusi qëndron në faktin se ky virus në 80 përqind të rasteve nuk shfaq ndonjë simptomë të dukshme dhe në 20 përqind të tyre ka simptomat e gripit të zakonshëm.
“Transmetimi i këtij virusi bëhet përmes mushkonjave, këtë alarm duam të sjellim në vëmendje të opinionit publik. Burim infeksioni janë zogjtë e infektuar, jo njerëzit e sëmurë, të cilët nuk përbëjnë rrezik për të tjerët”, përfundoi Pipero. Sëmundja ngjitëse që transmetohet nga zogjtë dhe nëpërmjet mushkonjave mund të infektojë njerëzit por dhe qentë, macet, lepujt, ketrat dhe kuajt.

Simptomat
Shumica e njerëzve të pickuar nga mushkonjat infektuese kanë dhimbje koke dhe simptoma të gripit të zakonshëm, dëmtime neurologjike të përkohshme ose të përhershme, dhimbje e madhe trupi, temperaturë e lartë, infeksione të rënda, përgjumësi, fotofobi, çrregullim orientimi, shtrembërim të ndërgjegjes, humbje të vetëdijes etj. Të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe ata me sistem të dobët imunitar mund të sëmuren nga encefaliti dhe milingjiti kur infektohen nga ky virus. Virusi i Nilit Perëndimor është një kompleks virusesh dhe deri tani nuk ka asnjë vaksinë kundër sëmundjes tek njerëzit dhe me sa duket do të duhen disa vjet para se zbulohet një vaksinë e tillë. Nëse infektohesh me këtë virus krijohen inflamacione në tru ose në shtyllën kurrizore. Virusi hyn direkt në sistemin nervor dhe ndikon duke shkaktuar simptoma dhe probleme si: humbja e kujtesës, vështirësi në të folur, paralizë, humbje të dëgjimit ose të shikimit, bllokim të frymëmarrjes, gjendje kome. Nëse sëmundja nuk trajtohet në kohë pasojat mund të jenë fatale, deri në humbjen e jetës.

Vendet më të rrezikuara

Epidemia e rëndë që mendohet të ketë infektuar 11 persona, (2 janë vërtetuar se janë të prekur nga virusi, ndërsa pritet të konfirmohen edhe rezultatet për të sëmurët e tjerë) ka prekur veriperëndimin e Greqisë. Shkaktare për këtë sëmundje janë uji i ndotur, temperaturat e larta dhe papastërtitë e ambientit të cilat krijojnë terren të favorshëm për mushkonjat. Kjo është një sëmundje infeksioniste dhe vendet ku mungesa e higjienës është e dukshme, zonat bregdetare, moçalore dhe ato të mbipopulluara janë dhe zonat më të rrezikuara për t’u prekur nga virusi i Nilit Perëndimor. Kujdesi dhe informimi i popullsisë është shumë i rëndësishëm sepse masat që duhen marrë janë urgjente për të evituar një epidemi të mundshme.

Shërbimi Social Shtetëror, inspektime në institucionet e fëmijëve
Inspektorët e SHSSH-së gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti kanë kryet 54 kontrolle në institucionet (publikë dhe privatë) që kujdesen për fëmijët në 12 qarqe të vendit. Vetëm në Tiranë janë bërë 22 inspektime. Pjesë e këtyre inspektimeve u bënë edhe qendrat pritëse të trafikimit dhe shtëpitë që trajtojnë të moshuarit. Sipas përfaqësuesve të Shërbimit Social Shtetëror, kapacitetet për të trajtuar fëmijët në nevojë ekzistojnë por bashkëpunimi midis SHSSH dhe njësive vendore mungon prej kohësh sepse ata nuk plotësojnë detyrimet e tyre. Gjatë muajve të parë të 2010, janë strehuar në shtëpitë e fëmijës rreth 40 fëmijë. “Për 6 mujorin e parë janë sistemuar 40 fëmijë, 11 janë transferuar, 6 prej të cilëve në familjet biologjike. Ndërsa 99 fëmijë janë me kujdestari institucionale. “Ajo çka ne kërkojmë është që roli i pushtetit vendor të jetë më i madh, dhe të njohë përgjegjësitë e veta mbi këto institucione. “Aktualisht, në vendin tonë, në institucionet publike dhe jo publike të përkujdesit shoqëror trajtohen rreth 656 fëmijë. tha drejtoresha e inspektimeve në SHSSH, Arkida Hysenaj. Ajo çka ne kërkojmë është që roli i pushtetit vendor të jetë më i madh, dhe të njohë përgjegjësitë e veta mbi këto institucione”, tha drejtoresha e inspektimeve në SHSSH, Arkida Hysenaj.

Mbetjet urbane, ministria e Mjedisit fajëson bashkinë e Tiranës
Firmat e kontraktuara nga bashkia e Tiranës për pastrimin e mbeturinave do të monitorohen edhe nga specialistët e Ministrisë së Mjedisit. Këtë e tha dije Alfred Deshati, drejtor i Kontrollit të Mjedisit në këtë ministri. Deshati reagoi pasi sipas tij në këto ditë të nxehta vere, mbetjet urbane, sidomos pastrimi i koshave në disa zona të kryeqytetit janë bërë vërtet një problem shqetësues. Deri tani bashkia e Tiranës, ka qenë përgjegjësja kryesore e pastrimit te qytetit, duke monitoruar hap pas hapi firmat e pastrimit. Deshati tha se tashmë baza ligjore ka ndryshuar dhe ministria e Mjedisit do të jetë më kompetente në monitorimin e firmave të kontraktuara nga bashkia e Tiranës. “Ka pasur edhe më përpara sanksione për firmat e pastrimit, por së shpejti dhe firmat që kryejnë pastrimin në Bashkinë e Tiranës do të jenë objekt kontrolli për inspektorët tanë. Sigurisht, gjithmonë për përmirësimin e mjedisit dhe për Bashkinë e Tiranës. Gjobat që vendoste ministria e Mjedisit deri në njëfarë mase nuk konsideroheshin. Unë mund t’ju them që të paktën me miratimin e ligjit për kundërvajtjet administrative, tanimë me gjobat e Ministrisë së Mjedisit merret drejtpërdrejt Përmbarimi. Pra, janë gjoba që kanë titullin ekzekutiv”, tha Deshati. Firmat e pastrimit do të monitorohen për t’iu përmbajtur kontratës e cila vec pastrimit parashikon dhe larjen dhe dezinfektimin e koshave, larjen dhe fshirjen e rrugëve, si dhe të trotuarëve.

10 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›