E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni dhe politika italiane në BE



Teksa diskutonte gjatë këtij muaji përqasjen ndaj politikës së jashtme, Silvio Berluskoni deklaroi se kishte “inauguruar politikën e kuku-së”. Duke thënë kështu, kërkoi të përkufizonte “sjelljen e hapur dhe mirëkuptimin ndaj të tjerëve, miqësinë”. Për të kuptuar përqasjen e Berluskonit me politikën e jashtme vlen të përmendet një histori që qarkullon në Bruksel. Para disa viteve, liderët europianë po diskutonin një çështje delikate, në çastin kur Berluskoni u kthye papritmas nga Gerhard Shrëder, kancelari i atëhershëm gjerman dhe i tha: “Të flasim për femrat. Gerhard, ke qenë katër herë i martuar. Përse nuk e nis ti?”.
Apokrif? Ndoshta. Por, historia bën të qartë diçka. Për kryeministrin italian, Bashkimi Europian është i mërzitshëm. Për sa u përket punëve të jashtme, Berluskoni e rezervon entuziazmin e tij për liderë të shteteve si Turqia, Rusia, Bjellorusia, Libia dhe Republikat e Azisë Qendrore – që të gjitha shtete që nuk bëjnë pjesë në Bashkimin Europian, disa prej të cilëve as që shihen me sy të mirë nga Brukseli.
Italia është një prej anëtarëve themelues të organizmit që sot është bërë Bashkimi Europian, ndërkohë që traktati përmes të cilit u themelua ky bashkim shtetesh u nënshkrua në Romë. Ekonomia e Italisë është dy herë sa ajo e Polonisë, popullsia pak a shumë e njëjtë me atë të Britanisë e Francës. E megjithatë, në pak raste, ka qenë zë vendimtare brenda BE-së. Përse? Përqasja pak ortodokse e Berluskonit ndaj politikës së jashtme ofron një përgjigje. Por Italia ka qenë jo në lartësinë e duhur edhe në kohën kur Berluskoni nuk ka qenë në krye të qeverisë së vendit.
Pjesa më e mirë e shpjegimeve mbi këtë fenomen nis me një observim. Italianët, në të kundërt të britanikëve, francezëve e gjermanëve, nuk e shohin Bashkimin Europian si një arenë për zgjidhjen e konflikteve të interesave mes kombeve. Europës i referohen si diçka që gjendet diku tjetër, si një zgjatim – dhe ndoshta një ditë si zëvendësuese – të qeverisë së tyre, e cila lë gjithë kohës për të dëshiruar.
Për qeveritë italiane, “Europa” ka qenë një shfajësim bindës për veprimet me pak popullaritet. Është arsyeja për të cilën italianët janë të detyruar të trajtojnë plehrat, të dorëzojnë fermat e të lejojnë brenda kufijve mallrat e huaja. “Europa” është gjithashtu edhe arsyeja për të cilën disa gjëra nuk mund të bëhen – në zhargonin burokratik të Romës është “vincolo esterno” (shtrëngimi, detyrimi i jashtëm).
Ky kënd praktik vështrimi për BE-në gjithsesi përzihet me një idealizëm të sinqertë, i cili e pengon Italinë të luajë fort kur vjen fjala për të mbrojtur interesat në politikën e jashtme. Rrallë ndodh të praktikojë atë që në Bruksel njihet si “pazarllëqe nën tavolinë” (marrëveshje ku një shtet ndihmon tjetrin mbi një çështje në këmbim të ndihmës për një tjetër). Dhe e ka përdorur rrallë të drejtën e vetos. Përjashtimi më i famshëm – refuzimi i Romës për dënimin unanim të ndërhyrjes së armatosur ruse në Gjeorgji në vitin 2008 – erdhi si pasojë e marrëdhënieve të Berluskonit përtej kufijve të BE-së.
Kjo përqasje është përkthyer në një histori të gjatë neglizhimesh jo dashakeqëse. Është e çuditshme për shembull, që Italia nuk ka aleanca të qëndrueshme, qoftë edhe me shtetet mesdhetare. Deri së fundmi, pozicionet negociuese (nëse ka), kufizoheshin thjesht me përfaqësimin e përhershëm në takimet e këshillit në Bruksel. Departamentet e qeverisë së vendit nuk ia dolën të koordinonin politikat europiane. Parlamenti italian nuk i kushtoi vëmendjen e nevojshme ndikimit të brendshëm të politikave europiane.
Në vitet ‘90, një studim i kryer nga Federiga Bindi, analiste marrëdhëniesh ndërkombëtare, identifikoi barriera të tjera që e pengonin efektshmërinë e politikave europiane në Bashkimin Europian: ndërrim i shpeshtë qeverish, koalicione me synime konfliktuale, dështimi i burokratëve për të mësuar nga përvoja e shteteve të tjera, si dhe interesi i pakët që tregon politika italiane për Bashkimin Europian.
Kur iu kthye përsëri, së fundmi, këtij subjekti, gjithsesi analistja zbuloi se në vend kishin ndodhur përmirësime. Është krijuar një organizëm ndërdepartamentesh shtetërore për koordinimin e politikave europiane (megjithëse nuk gëzon stafin e duhur dhe bazohet në masë tepër të madhe te nismat individuale). Parlamenti ka përvetësuar një sistem më të mirë monitorimi.
Pavarësisht problemeve të shumta, Berluskoni i ka siguruar Italisë qeverisje të qëndrueshme gjatë nëntë viteve të fundit. Ndërkohë që analistja arrin në përfundimin se administrata ka mësuar të mësojë prej të tjerëve. Por, problemet e tjera vazhdojnë të mbeten dhe janë të jashtëzakonshëm. Diferencat mes partive që përbëjnë koalicionet nuk lënë shanse për përqasje koherente ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me Bashkimin Europian, ndërsa krahinizmi është i përmasave të frikshme.

10 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›