E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi, në anijen e fundosur ndodhen trupat e 110 të vdekurve

RUSI- Ministria e Emergjencës në Rusi tha se nuk ka pothuajse asnjë shpresë për të mbijetuar të tjerë nga fundosja e anijes në Lumin Volga.

Ministri Sergei Shoigu tha se bordin e anijes ndodheshin 208 njerëz kur ajo u përmbyt në afërsi të kryeqytetit të Tatarstanit, Kazan. Ai po ashtu bëri të ditur se 80 persona kanë arritur te shpëtojnë, shumica nga ta pasi kishin kaluar mbi një orë në ujë.

Ekipet e shpëtimit deri më tani kanë nxjerrë 13 trupa, ndërsa mbi 100 të tjerë ndodhen ende brenda anijes. Rreth 50 fëmijë mendohet të jenë në mesin e tyre.

Punëtorët e shpëtimit thanë se nuk mund të gjejnë viktima në lumë. “Nuk kemi mundur të gjejmë asgjë përgjatë bregut, asgjë, asnjë trup s’kemi parë as dëgjuar. Nuk ka asnjë trup”,- tha një punëtor rus i shpëtimit.

Moti i keq, dështimi mekanik dhe mbipopullimi i anijes mendohen si arsye të mundshme të fatkeqësisë.

Kreu i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ministri i Jashtëm lituanez, Adronius Azubalis, tha se ‘është thellesisht i tronditur’,- nga tragjedia dhe shprehu ngushëllimet e tij. Rusia do të mbajë një ditë zie të martën për ngjarjen e rëndë.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›