E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, Gjykata vendos sot për një klub legjendë

TIRANE-Gjykata e Tiranës do të marrë sot në shqyrtim padinë e bërë nga Ministria e Mbrojtjes kundër presidentit të Partizanit Albert Xhani, që ka në themel të saj rikthimin e stemës së klubit. Pas disa seancash, tifozët e klubit legjendar presin që e ardhmja e Partizanit të marrë sot një tjetër drejtim, i kundërt nga ai i viteve të fundit, që e ka parë skuadrën e kuqe të shkojë drejt një shkatërrimi thuajse përfundimtar. Një pjesë e madhe e tifozerisë pret që Ministria të marrë mbrapsht logon e dorëzuar 11 vjet më parë, ç'ka do t'i hapte rrugën largimit të Xhanit dhe afrimit të sponsorve të rinj. Ajo kërkon që të nxjerrë deri diku nga "humnera" klubin me më shumë tifozë në vend, që këtë vit do të luajë në kategorinë e tretë. Ndërkohë, edhe presidenti Xhani nuk ka ndërmend të dorëzohet, ndonëse financoi për 9 vjet rresht për këtë klub. Shumë gjëra do të jenë në dorë të Gjykatës dhe të provave të paraqitura nga palët, por duke parë gjendjen e klubit të kuq, e ardhmja duket e zymtë. Sepse, edhe në rast se Ministria e Mbrojtjes fiton gjyqin, mbetet e paqartë se kush do të shkonte për të financuar në një klub që ka vetëm logon dhe asgjë tjetër.
Gjyqi
Seanca e sotme mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe presidentit të Partizanit Albert Xhani, nuk është e para. Por, ajo pritet të jetë vendimtare në përcaktimin e fateve të klubit legjendar të Shqipërisë. Në seancën e fundit, dy avokatët e Xhanit, Fatmir Braka e Ilirjan Mërtiraj, kanë kërkuar shtyrjen, duke deklaruar para gjykatësit Ilir Çeliku se do të sjellin një shkresë shumë të rëndësishme për fatet e gjyqit. Në fakt, bëhet fjalë për një letër të ish-Ministrit të Mbrojtjes Mediu, ku thuhet se "Xhani mund të mbajë logon deri në vitin 2014". Pra, sot do të shihet nëse kjo letër ekziston. Në të kundërt, shanset që Partizani të mbetet i Albert Xhanit, janë të vogla. Ndërsa pala e paditur pretendon se ka një letër të tillë, ajo paditëse thotë se "Xhanit i është bërë e ditur në mënyrë të shkruar se duhet ta kthejë logon në raste falimentimi". Ndërkohë, tifozët e Partizanit kanë kërcënuar se do të jenë sot para Gjykatës për të protestuar kundër presidentit Xhani. "Jemi të vetmit që i kanë mbetur Partizanit, të dalim në protestë në 12 korrik para Gjykatës", thuhet në një komunikatë në uebsajtin "Partizani.net".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›