Rusia: Çdo vend ka të drejtë legjitime të zhvillojë programet e energjisë bërthamore

Ministria e Jashtme ruse ka deklaruar se Irani dhe vendet e tjera që nuk posedojnë armë bërthamore kanë të drejtë legjitime për të zhvilluar programet e tyre të energjisë bërthamore civile.
Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse iu përgjigj pyetjeve në një konferencë për mediat mbi vërejtjet e bëra nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi që qëllimi i Uashingtonit për të negociuar me Iranin ishte arritja e përgjithshme e “çmontimit ” të programit bërthamor të Teheranit.
Ndërkaq, negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor iranian po shkojnë drejt një marrëveshjeje, e cila, megjithatë, nuk është shumë e ndryshme nga ajo e vitit 2015, të cilën Presidenti i atëhershëm Donald Trump e kishte përshkruar si “më të keqen në histori”, duke tërhequr SHBA-në prej saj, gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018.
Administrata Trump dhe iranianët zhvilluan tre raunde bisedimesh muajin e kaluar që synonin arritjen e një marrëveshjeje të re për të frenuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.
Megjithatë, brenda pak javësh, SHBA-të dhe Irani do të fillojnë një raund të katërt bisedimesh në Romë, që synojnë të parandalojnë Teheranin nga ndërtimi i armëve bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve.
/rtsh.al/