E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rusia: Ukraina godet urën që lidh Kherson me Krimenë, nuk raportohen viktima

Rusët pretendojnë se forcat e Kievit kanë sulmuar urën Chonhar që lidh Krimenë me jugun e Ukrainës.

“Dy urat paralele Chonhar u dëmtuan të dyja, por askush nuk u lëndua”, tha guvernatori i mbështetur nga Rusia, Vladimir Saldo ndërsa shtoi se raketat britanike Storm Shadow të ishin përdorur në një sulm “të urdhëruar nga Londra”.

Ura e cila  është rruga më e shkurtër nga Krimea në vijën e frontit në jug, është gjithashtu një lidhje e rëndësishme me qytetin e pushtuar të Melitopolit, i cili shtrihet në rrugën bregdetare nga kufiri rus përmes Ukrainës jugore deri në Krime.

Fotot e postuara nga Vladimir Saldo treguan një vrimë të hapur në një nga dy urat, por ai tha se riparimet do të kryheshin shpejt dhe automjetet do të merrnin një rrugë alternative përkohësisht, sipas BBC.

Rusia e cila e përdor rrugën si një urë tokësore për në Krime dhe Melitopol mendohet të jetë një nga objektivat kundërofensive të Ukrainës, e cila filloi në rajonin jugor të Zaporizhzhia në fillim të këtij muaji.

Forcat ruse pushtuan gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014 dhe më pas në shkurt të vitit të kaluar ata pushtuan edhe rajonin bregdetar jugor të Ukrainës.

Vjeshtën e kaluar Ukraina ripushtoi rajonin Kherson në veri të lumit Dnipro. Një digë në lumë u shkatërrua këtë muaj në një sulm të dyshuar sabotazhi rus, i cili e ka bërë shumë më të vështirë një ofensivë ukrainase përgjatë Dnipro.

Ofensiva e Ukrainës ka bërë përparim të ngadaltë, duke pretenduar rimarrjen e tetë fshatrave deri më tani.

Forcat ruse kanë vazhduar të shënjestrojnë qytetet ukrainase, duke përfshirë një zonë rezidenciale të qytetit të lindjes së Presidentit Volodymyr Zelensky, Kryvyih Rih dhe portin jugor të Odesës gjatë natës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›