Ibrahimaj: Qëndrueshmëria mjedisore, një nga objektivat kryesore! Projektet e investimit do vlerësohen sipas ndikimit klimatik

“Qëndrueshmëria mjedisore është një prej objektivave kryesore që duhet të kenë qeveritë sot”, kështu ka deklaruar Ministrja për Ekonominë dhe Financat, Delina Ibrahimaj në fjalën e saj në Konferencën ndërkombëtare për financat e gjelbra në Evropën Juglindore.
Ibrahimaj u shpreh se ndryshimi i klimës po bëhet një kërcënim potencial për ekonominë, duke u shoqëruar gjithashtu edhe me kosto të larta mjedisore e sociale. E për këtë, tha Ministrja, “Ne si politikbërës duhet të jemi të angazhuar që të mobilizohemi e të marrim masa paraprakisht që të jemi gati kur ato të materializohen”.
“Ndryshimi i klimës po bëhet kërcënim potencial për të gjitha ekonomitë tona. Krizat e fundit na dhanë disa mësime, dhe kuptuam sa e rëndësishme është të punosh për një ekonomi të qëndrueshme dhe rezistente.
Në gjithë përballimin e krizave na është dashur të marrim masa për efektet e tyre në afatshkurtër dhe afatmesëm pa humbur objektivat kryesorë, ku qëndrueshmëria e klimës është një nga ato. Ndryshimet e klimës do shoqërohen me kosto të larta mjedisore, sociale e ekonomike.
Ne si politikbërës duhet të jemi të angazhuar që të mobilizohemi e të marrim masa paraprankisht që të jemi gati kur ato të materializohen. Shqipëria është e vendosur të jetë pjesë të marrë përsipër rolin e saj në këtë proces. Kemi ndërmarrë disa veprime në këtë drejtim.
Në mbështetje të këtij kuadri, në 2020 firmosëm në samitin e Sofjes dy marrëveshje të rëndësishme, si vendeve të Ballkanit Perëndimor në agjendën e gjelbër dhe krijimin e tregut të përbashkët rajonal që synon të bëjë ekonominë më neutrale ndaj klimës deri në 2025”, tha Ministrja, e cila shtoi më tej se tranzicioni i gjelbër përpos kostove, do të ketë efekte pozitive në ekonominë shqiptare.
Ministrja e Financave bëri me dije se po zbatohet plani kombëtar i energjisë dhe klimës, që do të ndikojë në rritjen ekonomike të sektorëve që lidhen me energjinë dhe klimën.
“Në strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim, politikat dhe masat për ndërtimin dhe rinovimin e ndërtesave, ndërtimin e sistemeve fotovoltaike do ndikojë ndjeshëm dhe në krijimin e vendeve të punës që konsiderohen të gjelbra.
Qëndrueshmëria mjedisore është një prej objektivave kryesore që duhet të kenë qeveritë sot”, u shpreh ajo. Sa i përket qëndrueshmërisë mjedisore, Ministrja deklaroi se së bashku me Bankën Botërore, e kanë vendosur si një prej objektivave të parashikuara në planin 4-vjeçar.
Më tej, ajo vuri theksin te një prej iniciativave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, që është rishikimi i procedurave të menaxhimit të investimeve publike.
“Tashmë çdo projekt potencial investimi që synohet të financohet nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit do vlerësohet duke pasur parasysh ndikimin mjedisor, ndikimin klimaterik dhe ky do jetë një element i rëndësishme për përfshirjen e projekteve në planet afatmesme të buxhetit”, tha Ministrja Ibrahimaj.
/rtsh.al/