E Martë, 3 Nëntor 2026

Rusia dënon me 8 vite burg Masha Gessen, gazetarja me nënshtetësi amerikane ka deklaruar se ushtria ruse po kryente krime në Bucha

Një gjykatë në Moskë ka dënuar me tetë vite burg në mungesë gazetaren Masha Gessen e cila ka edhe nënshtetësi amerikane, vitin e shkuar u shpall në kërkim nga autoritetet ruse pasi pati deklaruar se ushtria ruse kishte vrarë civilë në qytetin ukrainas të Bucha-s në mars të 2022-it, një akuzë kjo që nuk është pranuar nga Kremlini.

Gjykata e Moskës e dënoi atë me burg për përhapje të informacioneve të rreme.  Bucha ndërkohë është ndër qytetet më të goditura nga pushtimi rus. Pasi u çlirua në mars të 2022-it, u vunë  re përmasat reale të  vrasjeve torturave dhe krimeve të tjera të kryera nga ushtarët rusë në atë qytet. Një komision i OKB-së doli në përfundimin se ndaj popullsisë civile të qytezës ishin ndërmarrë krime lufte. 

Gessen, e cila tashmë jeton në SHBA, është një aktiviste e njohur i të drejtave të komunitetit LGBTË dhe një kritik i zëshëm i presidentit Vladimir Putin.  E njëjta gjykatë ndërkohë dënoi me shtatë vite burg po në mungesë një ish anëtare të këshillit bashkiak të kryeqytetit rus, e cila u arratis nga vendi i saj pasi doli në mbrojtje të një kolegu i cili gjatë një takimi të këshillit bashkiak kishte propozuar mbajtjen e një minute heshtje për viktimat e konfliktit në Ukrainë.

/rtsh.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›