Rusia dhe Kina sërish veto për Sirinë

Rusia dhe Kina kanë përdorur sërish Veto-n ndaj draft-rezolutës mbi zgjidhjen e krizës në Siri. Votimi mbi këtë çështje u bë gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohen zhvillimet aktuale në Siri. Draft-dokumenti ishte dorëzuar, gjatë javës së kaluar, nga Britania në Këshillin e Sigurimit, nërsa bën thirrje për sanksione ndaj regjimit të presidentit, Bashar Al Asad.
Ndërkohë trupat e ushtrisë siriane dhe rebëlët n po vazhdojnë luftimet në afërsi të selisë së qeverisë në Damask, një ditë pasi nga një sulm vetëvrasës u vranë tre anëtarë të rrethit të ngushtë të presidentit, Bashar Al Asad. Banorët e Damaskut thonë se ushtria siriane po e përdorë artilerinë e rëndë.
Në të tjera zhvillime në kushtet kur në Siri situata po bëhet gjithnjë e më tepër dramatike, gruaja e presidentit Bashar Al-Assad, Asma Al-Assad mund të jetë arratisur në Rusi. Kështu shkruan e përditshja britanike “The Guardian”, duke cituar zëra nga Damasku pas ngjarjeve të një dite më parë, ku nga një atentat në godinën e sigurisë kombëtare mbetën të vdekur 4 zyrtarë të larte siriane, mes të cilëve dhe Ministri i Mbrojtjes.
Sipas “The Guardian”, në Siri qarkullojnë zëra se trupat qeveritare për të rritur edhe më tej frikën kanë thënë për përdorimin e armëve kimike.
Ndërkohë vendndodhja e presidentit Bashar Al-Assad është e paqartë, disa burime thonë se ai mund të jetë i plagosur dhe burime të tjera thonë se mund të jetë larguar nga Damasku dhe ndodhet në gjirin Latakia.
“Vrasja e tre figurave kryesore në zemër të themeleve të mbrojtjes të Sirisë, tregon se presidenti Bashar Al-Assad është duke humbur kontrollin e vendit”, theksohej në një noftim të Shtëpisë së Bardhë.