Rusia e SHBA, të kundërta për kërkesën palestineze për shtet
I dërguari i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, ka njoftuar se Moska do të mbështesë kërkesën e palestinezëve për shtet në Asamblenë e OKB-së. Rusia është bashkësponsorizuese e procesit të paqes në Lindjen e Mesme, së bashku me Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Izraeli dhe aleatja kyç e tij, SHBA, e kundërshtojnë kërkesën palestineze. Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Europian, Katerine Ashton, ka thënë se blloku është në pritje të tekstit të rezolutës, të cilën palestinezët do ta paraqesin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara këtë vjeshtë. Sa i përket Bashkimit Europian, është e qartë se negociatat mbeten rruga e drejtë për të zgjidhur problemet, ka thënë Ashton. Votimi për shtetin palestinez do të zhvillohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku palestinezët kërkojnë njohjen sipas kufijve të 67, përpara se Izraeli të pushtonte Jerusalemin dhe rrethinat e Rripit të Gazës.