E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rusia lëshon urdhër-arresti për senatorin Graham pas komenteve të luftës në Ukrainë

Ministria e Brendshme e Rusisë lëshoi të hënën një urdhër-arresti për senatorin amerikan Lindsey Graham pas komenteve të tij në lidhje me luftën në Ukrainë, njofton Zëri i Amerikës.

Në një video të redaktuar të takimit të tij të premten me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy që u publikua nga zyra e udhëheqësit ukrainas, senatori Graham, një republikan nga Karolina e Jugut, vuri në dukje se “rusët po vdesin” dhe e përshkroi ndihmën ushtarake të Shteteve të Bashkuara për vendin si “më të mirën që kemi shpenzuar ndonjëherë”.

Ndërsa senatori Graham duket se i ka bërë komentet në pjesë të ndryshme të bisedës, video e shkurtër nga zyra presidenciale e Ukrainës i vendos ato pranë njëra-tjetrës, duke shkaktuar zemërim në Rusi.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov komentoi të dielën duke thënë se “është e vështirë të imagjinohet një turp më i madh për vendin sesa të ketë senatorë të tillë”.

Komisioni Hetimor, agjencia më e lartë e hetimit penal në vend, mori vendim për të hapur një hetim kundër senatorit Graham. Ministria e Brendshme më pas lëshoi një urdhër arresti për të, siç shihet dokumentet zyrtare, të pulikuara të hënën.

Senatori Graham është në mesin e më shumë se 200 anëtarëve amerikanë të Kongresit, të cilëve Moska u ndaloi hyrjen në Rusi vitin e kaluar.

Senatori Graham komentoi në Twitter, duke thënë: “lajmi se angazhimi im ndaj Ukrainës ka shkaktuar zemërimin e regjimit të Putinit, më gëzoi në masë jashtëzakonshme”.

“Unë do të vazhdoj të mbështesë lirinë e Ukrainës derisa çdo ushtar rus të dëbohet nga territori ukrainas”, shkroi ai në Twitter. “Unë do të mbaj urdhr-arrestin e lëshuar nga qeveria e korruptuar dhe jo morale e Putinit si një simbol nderi”.

( Sipas Zërit të Amerikës )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›