Rusia mbyll sërish gazsjellësin Nord Stream 1, mungesa e energjisë kërcënon Evropën

Në mes të një loje të gjatë “pokeri” energjetik që e vë Evropën përballë sfidave të paprecedentë, ndërkohë që gazi natyror rus po rrjedh tashmë me “pikatore”, Gazprom njofton se do të mbyllet sërish për tre ditë rubineti i tij i gazsjellësit Nord Stream 1 për punimet e mirëmbajtjes.
Mbyllja e afërt e Nord Stream 1 do të prishë më tej furnizimin me energji të Evropës, duke kujtuar rrezikun e dukshëm edhe të një mbyllje të plotë të rrjedhës së gazit natyror nëse mundësia konsiderohet e dobishme nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Gazprom ka njoftuar se gazsjellësi Nord Stream 1 do të mbyllet nga 31 gushti deri më 2 shtator, duke përmendur nevojën për të mirëmbajtur kompresorin e vetëm të gazit të mbetur. Sipas njoftimit, më pas do të rifillojnë flukset prej 33 milionë metër kub në ditë. Tubacioni aktualisht funksionon me vetëm 20% të kapacitetit të tij.
Gazprom kishte shkurtuar tashmë furnizimet e gazit përmes Nord Stream 1 me 40% që nga qershori, duke përmendur vonesat në kthimin e turbinës së diskutueshme Siemens Energy që ishte dërguar në Kanada për riparime, një ngjarje e denoncuar si një mashtrim nga Berlini.
Pas punimev dhjetëditore të mirëmbajtjes së Nord Stream 1, rifillimi i gazsjellësit u shoqërua me një ulje të mëtejshme të furnizimit. Kapaciteti ditor i prodhimit ra në 33 milionë metër kub gaz natyror, pra në 20%.
“Me përfundimin e punimeve dhe në mungesë të mosfunksionimeve teknike të njësisë, transporti i gazit natyror do të rikthehet në nivelin e 33 metër kub në ditë”, thuhet në deklaratën e Gazprom.
Në të njëjtën kohë, gjigandi i energjisë raporton se Siemens Energy do të ndihmojë në punën e mirëmbajtjes , e cila për momentin nuk ka bërë asnjë njoftim përkatës.
Me akuzën e vazhdueshme të Komisionit Europian ndaj Moskës për shantazh energjetik, institucionet dhe qeveritë evropiane kanë zbatuar tashmë masa për të kursyer energjinë dhe për të mbështetur qytetarët përballë rritjes së çmimeve të energjisë, ndërsa në të njëjtën kohë është vulosur një plan veprimi që përcakton hapat e 27 vendeve në rast të ndërprerjes së plotë të furnizimit me energji nga Rusia./ CNN.gr
/rtsh.al/