Rritet rreziku i një aksidenti bërthamor në Zaporizhia! Automjetet ruse futen në dhomën e turbinave

Shqetësimet po rriten për mundësinë e një aksidenti bërthamor në termocentralin bërthamor të Zaporizhia të Ukrainës, më i madhi në Evropë, pasi një video e re e zbuluar tregon automjete ushtarake ruse brenda një njësie turbinash të lidhur me një reaktor në central.
Vërtetësia e videos, e cila nxiti frikën për një katastrofë bërthamore dhe u shpërnda në mediat sociale të enjten, u konfirmua nga CNN.
Aktualisht është e paqartë se kur është realizuar video. Pamjet tregojnë një nga gjashtë dhomat e turbinave të vendosura në anën perëndimore të termocentralit bërthamor, i cili ndodhet në qytetin juglindor të Enerhodar. Çdo dhomë turbine është e lidhur dhe e integruar në një ndërtesë të madhe që strehon një reaktor bërthamor.
Automjetet, të cilat duket se janë kamionë ushtarakë rusë, shihen të rreshtuar në skajin perëndimor të ndërtesës në katin e parë, pak më shumë se 130 metra nga reaktori.
Videoja tregon të paktën pesë automjete, njëra me simbolin rus të luftës “Z”. Pranë automjeteve ka paleta të ndryshme. Nga video është e paqartë nëse paletat dhe strukturat e ngjashme me çadrat i përkasin ushtrisë ruse apo kanë lidhje me funksionimin e termocentralit.
Moska ka thënë më parë se e vetmja pajisje ushtarake në uzinë lidhet me detyrat e rojes. Të enjten, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se imazhet satelitore “tregojnë se armët, veçanërisht ato të rënda, nuk janë të vendosura në terrenin e këtij stacioni”.
Banorët e zonës shpesh dëgjojnë shpërthime të forta që vijnë nga njësitë e termocentralit bërthamor me raporte që bëhen pothuajse çdo ditë.
Energoatom, kompania shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, njoftoi sot se forcat ruse planifikojnë të mbyllin njësitë aktive të energjisë në termocentralin bërthamor Zaporizhia dhe t’i shkëputin ato nga rrjeti i energjisë ukrainase.
Në një deklaratë të lëshuar, Energoatom thekson se beson se Rusia, e cila ka vënë nën kontrollin e saj centralin bërthamor të vendosur në jug të Ukrainës, po përgatitet të kryejë një “provokim në shkallë të gjerë” atje. Moska akuzoi Kievin për përgatitjen e “provokimeve” në termocentralin bërthamor Zaporizhia.
“Ka informacione se forcat pushtuese ruse planifikojnë të mbyllin termocentralet dhe t’i shkëputin ato nga linjat e furnizimit të sistemit të energjisë elektrike të Ukrainës në të ardhmen e afërt”, tha Energoatom në deklaratën e saj.
Termocentrali bërthamor i Zaporizhia, më i madhi në Evropë, u kap nga forcat ruse në mars, por ende ka staf nga teknikë ukrainas, megjithëse vetëm dy nga gjashtë reaktorët e tij funksionojnë me fuqi të plotë.
Mbyllja e centralit do të ushtrojë presion të ri mbi furnizimin me energji të Ukrainës, veçanërisht në pjesën jugore të saj. Ukraina tashmë po përgatitet për një nga dimrat e saj më të ashpër nga mungesat e mundshme të energjisë./ CNN.gr
/rtsh.al/