Rusia miraton ligjin, test emigrantëve për rusishten

Dhoma e ulët e Parlamentit rus ka miratuar sot në lexim të tretë një ligj që i detyron emigrantët e punës që të kenë njohuri të gjuhës ruse.
Sipas ligjit të ri, emigrantët e punës, që janë të angazhuar në Rusi në tregun e punës, në shërbimet sociale apo sektorët e mirëmbajtjes, duhet të kenë të paktën një nivel bazë mbi njohuritë e gjuhës ruse.
Për të marrë lejen e punës, çdo emigrant që dëshiron të punojë në Rusi duhet ta kalojë një test të gjuhës dhe në këtë mënyrë e merr një certifikatë që e dëshmon nivelin e njohurive të tyre në rusisht.Ky ligj do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti.
Rreth 160 qendra të testimit të gjuhës, që bëjnë shpërndarjen e këtyre certifikatave, janë hapur përgjatë Rusisë, për tu ofruar shërbime qindra mijëra punëtorëve nga Taxhikistani, Uzbekistani dhe Kirgizia, të cilët çdo vit hyjnë në Rusi për të kërkuar punë.