E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia parashikon rritje ekonomike për vitin 2010

"Ne presim me shumë maturi një rritje të lehtë ekonomike me një për qind në 2010-n'', deklaroi ministri i Financave, Aleksei Kudrin, cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.
     
''Gjatë tre viteve pas 2010-s, Rusia do të mund të arrijë një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 2,5 për qind deri në 3,5 për qind. Duhet të krijojmë një potencial rritjeje në disa sektorë ekonomikë'', theksoi ai.
     
Parashikimi i ministrit të Financave për vitet e ardhshme është i përafërt me atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që ka parashikuar një rritje me 1,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto rus në 2010-n.
     
FMN-ja ka parashikuar gjithashtu edhe një kontraktim të Prodhimit të Brendshëm Bruto rus me 6,5 për qind në 2009, një parashikim më pak pesimist se ai i Moskës.
     
Ministria e Zhvillimit Ekonomik kishte parashikuar një recesion që arrinte deri në 8,5 për qind këtë vit. Rusia është prekur shumë nga kriza financiare botërore, në mënyrë të veçantë për shkak të ndryshimit të çmimit të naftës, burimi kryesor i eksportit.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›