E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia rinis me privatizimet

Pas viteve të shtetëzimeve, shteti po shet asetet për të mbyllur deficitin buxhetor

Rusia ka njoftuar për të privatizuar disa nga asetet shtetërore, për të grumbulluar një sasi të madhe parash. Kështu, sipas qeverisë ruse, ajo do të shesë disa aksione në 11 firma të drejtuara nga shteti për të grumbulluar nga kjo shitje 25 miliardë euro. Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një skemë të qartë privatizimesh, edhe pse për momentin janë disa privatizime të pakta, por gjithsesi bëhet fjalë për një fillim. Ajo çka është e rëndësishme, është të theksohet fakti se bëhet fjalë për privatizimin më të madh që është bërë që nga procesi i privatizimeve të mëdha të viteve ’90. I gjithë procesi de të fillojë vitin e ardhshëm dhe do të përfshijë edhe “Sberbank” dhe firmën e saj të naftës “Roznerft”.

Por hekurudha shtetërore dhe operatori i saj RZHD nuk do të përfshihen në këtë hap privatizimesh, ka bërë të ditur një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë. Sipas specialistëve, ky hap i ndërmarrë nga Rusia, në një moment ku ajo tashmë ka në zotërimin e saj një pjesë të madhe të aseteve publike pas shtetëzimeve që ka bërë vitet e fundit me ardhjen e Putinit në pushtet, ka të bëjë me nevojën për të plotësuar deficitin e vet buxhetor të shkaktuar nga kriza prej transaksioneve të viteve të fundit.

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, politika e Rusisë ka qenë shmangia e privatizimeve në përgjithësi dhe ajo e privatizimeve të mëdha në veçanti, duke qenë se qeveria ka qenë shumë më e përqendruar që të grumbullojë në shtet asetet më të mëdha të vendit, kryesisht ato që kanë të bëjnë me pasuritë e saj nëntokësore, si nafta dhe gazi natyror, me të cilat vendi është shumë i pasur. Moska është përpjekur që të shmangë privatizimet e të gjitha firmave dhe kompanive që drejtohen, apo janë në pronësi të shtetit. Sipas këtij ndryshimi të politikave, operatori i naftës “Transneft”, banka shtetërore VTB dhe operatori hidrik “Rushydro”, do të shiten pjesërisht, pra do të privatizohen për të grumbulluar para për mbylljen e vrimave në buxhetin e shtetit. Ministria e Ekonomisë ruse nuk ka dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me përmasat apo mënyrën se si do të vazhdohet me privatizimet në vitet në vijim, por ajo që dihet është se ato do të privatizohen deri në një masë të caktuar, që nuk do të dëmtojë pronësinë e shtetit. Deficiti buxhetor u rrit shumë gjatë krizës ekonomike të viteve të fundit në vijim të viteve të një begatie ekonomike dhe surpluseve të shënuara në ekonominë vendase.

Kryeministri i vendit, Putin, deklaroi të mërkurën që deficiti i këtij viti do të jetë 55 i Prodhimit Kombëtar Bruto. Pas shumë vitesh të mira, rritja ekonomike e Rusisë këtë vit ra në masën 7%.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›