Rusia sulmon sërish me dronë Ukrainën, të paktën 2 viktima dhe 13 të plagosur

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, është goditur sërish nga një sulm ajror gjatë natës, me dronë rusë që kanë shkaktuar dëme të rënda dhe viktima në disa lagje të kryeqytetit ukrainas. Zyrtarët lokalë konfirmuan se të paktën dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 13 të tjerë janë plagosur, pas shpërthimeve që përfshinë ndërtesa banimi, depo dhe objekte të tjera civile.
Sipas administratës ushtarake të qytetit, një pjesë e dronëve ra mbi çatinë e një ndërtese në lagjen Shevchenkivskyi, duke shkaktuar zjarr dhe panik në zonë. Kreu i administratës, Tymur Tkachenko, deklaroi: “Ndërtesa banimi, automjete, depo, ndërtesa zyrash po digjen. Fatkeqësisht, kemi dy të vdekur. Këta njerëz u vranë nga rusët. Kjo është një humbje e tmerrshme.”
Sulmi i fundit vjen vetëm dy ditë pas sulmit ajror më të madh të regjistruar ndonjëherë në Ukrainë, ku 728 dronë dhe 13 raketa balistike goditën objektiva në të gjithë vendin.
Autoritetet ukrainase paralajmëruan se kërcënimi nga raketat balistike ruse mbetet i lartë. Ndërkohë, nuk ka ende një koment zyrtar nga Moska lidhur me sulmin më të fundit.
Ushtria ukrainase dhe shërbimet e emergjencës po vazhdojnë operacionet e shpëtimit dhe kontrollin e zjarreve në disa prej zonave të prekura.
/rtsh.al/