Rusia vazhdon të mbështesë Sirinë

Presidenti i Sirisë, Bashar al Asad, çmoi qëndrimin e “balancuar dhe konstruktiv” të Moskës mbi Sirinë gjatë bisedimeve me një delegacion rus, i cili udhëtoi një ditë më parë në Siri për ta ndihmuar vendin që t`i japë fund shtypjes së protestave anti-qeveritare.
Agjencia shtetërore e lajmeve SANA citoi al Asadin të jetë shprehur kundër “çfarëdolloj ndërhyrjeje të huaj e cila do të kërcënonte ndarjen e shteteve në rajon”.
Këto komente ai thuhet t`i ketë bërë gjatë vizitës së një grupi të ligjvënësve rusë në Damask.
Interfaksi citoi zëvendëspresidentin e dhomës së lartë të parlamentit rus, Ilias Oumakhanov, të ketë thënë se Rusia “do të ishte e gatshme për të ndihmuar ku mundet përmes dialogut të brendshëm politik, i cili do të duhej të mbahej në një atmosferë paqësore”.
Rusia vazhdon të mbështesë regjimin e al Asadit, pavarësisht shtypjes së protestave gjatë të cilave, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, vlerësohet të jenë vrarë më shumë se 2 600 njerëz.