Rusia,nënshkruan marrëveshje me Kubën

Presidenti i parë i Kubës që viziton Rusinë që nga periudha e Luftës së Ftohtë Raul Kastro, ka nënshkruar një pakt partneriteti me liderin e Kremlinit, Dimitri Medvedev, që synon ripërtëritjen e aleancës midis dy vendeve. Kastro e hapi takimin me Medvedevin duke rikujtuar marrëdhëniet e vjetra midis Moskës dhe Havanës. "Ne jemi miq të vjetër, e kemi njohur njëri-tjetrin në kohë të mira dhe të vështira, në kohën kur i njeh më mirë miqtë. Ky është një moment historik, një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kubës", u shpreh Raul Kastro. Ndërsa Presidenti rus Dimitri Medvedev uroi Kubën me rastin e 50-vjetorit të revolucionit të saj komunist, si dhe i dërgoi urimet e tij vëllait 82-vjeçar të Raulit, Fidel Kastros, i cili drejtoi Kubën që nga viti 1959, por u tërhoq nga posti i presidentit në shkurt të vitit të kaluar për arsye shëndetësore. "Vizita juaj në vendin tonë hap një faqe të re në historinë e marrëdhënieve Rusi-Kubë dhe kjo nënkupton ngritjen në nivelin e partneritetit strategjik", tha presidenti rus. Takimi zyrtar, që zgjati më pak se një orë, u pasua me nënshkrimin e marrëveshjeve që sigurojnë ndihma ushqimore dhe një hua prej 20 milionë dollarësh për Kubën për blerjen e pajisjeve ruse të ndërtimit dhe pajisje bujqësore. Ndërkohë, kompania ruse e energjisë elektrike "Inter RAO" nënshkroi një marrëveshje për të ndërtuar një central elektrik në Kubë, ndërsa prodhuesit e automjeteve ruse "Kamaz", "Avtovaz", "Zil" dhe "Gaz" janë interesuar për operacione në Kubë.