E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi:Njohje të reja Kosovës në prag të 1-vjetorit të pavarësisë

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova e pavarur është kurorëzim i ëndrrave të brezave të tërë që u sakrifikuan për ditët e mira të saj. Thaçi ka paralajmëruar njohje të reja të Kosovës, në prag të njëvjetorit të shpalljes së shtetit më të ri në botë. "Së shpejti Kosova do të kujtojë një vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Vitin historik të kurorëzimit të ëndrrave të brezave të tërë që u sakrifikuan për ditët e mira të saj. Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme të globit dhe nga shumë shtete demokratike të botës. Kosovën pritet ta njohin edhe shtete të tjera", u shpreh kryeministri Thaçi. Thaçi i bëri këto deklarata në ceremoninë përkujtimore në Prishtinë me rastin e 12-vjetorit të rënies së dëshmorëve të lirisë e pavarësisë së Kosovës, Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut. "Në kohën kur Kosovën e presin ende sfida të mëdha, në fushën e zhvillimit ekonomik dhe ngritjes së cilësisë së jetës, në fushën e integrimeve euroatlantike, ne, për të përmbushur edhe më tej amanetin e dëshmorëve, kemi detyrimin që me vizion, ndershmëri dhe përkushtim të lartë institucional të kultivojmë filozofinë e unitetit qytetar në Kosovë", theksoi Thaçi. Ai tha se qeveria kosovare nuk do t'i zhgënjejë idealet e atyre që u sakrifikuan për pavarësinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›