E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ruzhdia”, dënohen komisionerët, vendimi do ankimohet në Apel

FIER Ish-komisionerët e fshatit Ruzhdie, rrethi Fier, janë dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 35 muaj burg dhe 2.25 milionë lekë. Trupi gjykues nuk mori parasysh kërkesën e prokurorit Çlirim Sino, i cili i kërkoi gjykatës nga një vit burg për secilin anëtar, e shoqëruar kjo edhe me masën e gjobës prej 3 milionë lekësh. Gjyqtari i kësaj çështjeje, Roland Jaupaj, vendosi të dënojë shtetasit Bujar Kararaj, Shezai Kararaj, Veledin Myftaraj, Robert Myftaraj dhe Pëllumb Myrto, me nga shtatë muaj burg dhe 450 mijë lekë të reja gjobë, për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve zgjedhore në bashkëpunim, shkelje të fshehtësisë së votimit, votimit më shumë se njëherë. Ndërkohë, dy komisionerët e opozitës, Qazim Aliaj dhe Ervin Myftaraj, u dënuan me 150 mijë lekë të reja gjobë, për braktisje të detyrës. Shtetasi Elmaz Donaj u dënua me 100 mijë lekë të reja gjobë me akuzën, votim më shumë se njëherë. Në sallën e gjyqit nuk kanë qenë të pranishëm të akuzuarit, ndërkohë që seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura. Kjo ishte seanca e 31-të e zhvilluar për këtë çështje të shumëpërfolur. Shumica e seancave gjyqësore është zhvilluar pa praninë e të akuzuarve, të cilët janë përfaqësuar në këtë gjykatë prej avokatëve të tyre. Gjatë procesit, kanë dhënë dorëheqje dy prej avokatëve të palës mbrojtëse, të cilët janë zëvendësuar nga lista shumëemërore e dhomës së avokatëve Fier. Në përfundim të procesit, njëri prej avokatëve, Toto Avdia, është shprehur se pala mbrojtëse do të flasë ditën kur të ketë të zbardhur në dorë vendimin e gjykatës së rrethit Fier. Sipas tij, vendimi do të ankimohet në Gjykatën e Apelit, Vlorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›