“Të vegjlit” morën vota “dushku”, por humbën mandatet në këshilla
Partitë e vogla politike duket se kanë përfituar nga votat e “skemës së dushkut”, por nuk kanë arritur dot t’i përkthejnë në mandate këshillash bashkiak. Dy ditë pasi u ndëshkuan prej sistemit zgjedhor, duke tkurrur përfaqësimin me deputetë në Parlament, pas zgjedhjeve të 8 majit, një pjesë prej tyre kanë më pak mandate edhe në këshilla. Nga analiza e rezultatit në proporcional, në 10 prej bashkive qendër qarku rezulton se Lëvizja Socialiste për Integrim, si forcë e tretë politike në vend, ka humbur 8 mandate këshilltarësh ndërsa ka përmirësuar shifrat vetëm në Shkodër me dy mandate, krahasuar me vitin 2007. Sakaq, PDIU rezulton të ketë korrur një rezultat pozitiv pasi në këto 10 bashki qendër qarku ka shtuar nëntë mandate krahasuar me pozitat e mëparshme. Një tjetër element i rëndësishëm është “zhdukja” e PBDNJ dhe PSD në përfaqësimin në mandate te këto bashki qendër qarku.
Bashkia Tiranë
Në zgjedhjet e 28 shkurtit të vitit 2007 në Këshillin Bashkiak të Tiranës ishin të pranishme 11 forca politike të vogla. Numrin më të madh pas PS dhe PD e kishte LSI me gjashtë përfaqësues, Partia Republikane me 2 dhe më pas nëntë forca të tjera me nga një këshilltar: PSD, PDI, PDK, PDr, PBDNJ, LZHK, BLD dhe AD. Rezultati i zgjedhjeve të fundit administrative tregon se ndonëse morën vota përmes skemës së dushkut, të vegjlit nuk arritën të rifitojnë mandatet në këshilla. Në këtë organ kolegjial nuk do të jenë më të përfaqësuar socialdemokratët dhe PBDNJ-ja në të majtë, që janë zëvendësuar me PDS dhe PSV91 që kanë marrë nga një mandat. Në kampin e djathtë, LSI është ulur me një mandat, PDIU është rritur me një ndërsa janë nxjerrë jashtë këshillit: PDK, PAA, LZHK, BLD dhe AD. Nga përbërja aktuale rezulton se numri i partive të vogla me përfaqësim në këshill është gjashtë, çka përbën një përgjysmim.
Bashkia Durrës
Qyteti bregdetar i Durrësit kishte në përbërje të këshillit bashkiak përfaqësues nga 13 forca politike përfshirë PS dhe PD. Nga 11 prej partive të vogla që kishin mandate, zgjedhjet e 8 Majit kanë krijuar mundësinë e përfaqësimit vetëm për pesë prej tyre. Konkretisht PDIU ka rikonfirmuar vetën duke dyfishuar mandatet, Lëvizja Socialiste për Integrim ka pësuar ulje me një mandat dhe po ashtu edhe Partia Republikane. Demokracia Sociale dhe Partia Demokristiane rikonfirmuan nga një mandat që kishin më parë. Rezulton të mos jenë më prezent në këtë këshill gjashtë forca politike: PSD, PDr, PBDNJ, PAA, LZHK dhe AD. Edhe në këtë rast kemi një përgjysmim të përfaqësimit politik të të vegjëlve.
Bashkia Vlorë
Pas zgjedhjeve të fundit lokale në Këshillin bashkiak të Vlorës kishte përfaqësim të 14 subjekteve politike. Nisur nga rezultatet e votimeve të 8 Majit rezulton se në këtë këshill përfaqësohen tre forca politike më pak. Konkretisht socialdemokratët në të majtë kanë humbur dy mandatet që kishin ndërsa ka fituar një shtesë Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos. Brenda kampit të majtë ka mbetur jashtë edhe PBDNJ-ja ndërsa është përfshirë në këshill G99 dhe demokristianët që ishin në aleancë me PS kanë marrë njësoj mandatet që kishin. Sakaq, PDIU ka përmirësuar rezultatin duke fituar edhe një mandat të pestë, LSI ka humbur dy këshilltarë ndërsa një të tillë e ka humbur edhe Partia Republikane.
Bashkia Gjirokastër
Lëvizja Socialiste për Integrim edhe në këshillin bashkiak të Gjirokastrës ka pësuar ulje në numër mandatesh me dy të tilla. Socialistët janë në të njëjtat kuota ndërsa demokratët janë dyfishuar. Në krahun e majtë G99 ka marrë dy mandate, PDK ka rikonfirmuar mandatin njësoj si PDS dhe PSD ndërsa është shfaqur edhe përfaqësimi i PSV91. Një element i rëndësishëm është mungesa e PBDNJ-së në Këshill duke humbur kështu dy mandatet që kishte marrë në vitin 2007. Mungesë përfaqësimi vihet re tanimë edhe për LZHK, PAA dhe PR.
Bashkia Korçë
Në qarkun e Korçës duket se ka më pak ndryshime sa i takon përfaqësimit të subjekteve politike në këshillin e Bashkisë së qytetit. Konkretisht rezulton se socialistët kanë shtuar mandatet por edhe partitë e vogla në koalicion me të si PDS, PSD dhe PDK kanë rikonfirmuar nga një mandat që kishin. Partia Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë humbur nga një mandat krahasuar me ato çka kishin në këshillin e pas zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007. Sakaq, Aleanca Demokratike dhe PDr nuk figurojnë më të përfaqësuara në këtë organ kolegjial.
Bashkia Shkodër
Këshilli Bashkiak i Shkodrës jo vetëm që ka rikonfirmuar shumicën e partive përbërëse por ka shtuar numrin. Socialistët kanë ulur numrin e mandateve ndërsa socialdemokratët nuk figurojnë më në këshill. PBDNJ, PMDL, PDS, AD, PBK, PBKD dhe PLL kanë rikonfirmuar nga një anëtar që e kishin si formë përfaqësimi në këtë këshill bashkiak. Sakaq, vihet re përmirësim rezultati në përfaqësim për Lëvizjen Socialiste për Integrim që ka dyfishuar numrin e mandateve ndërsa Partia Republikane e ka humbur një të tillë. Në koalicionin e majtë u shfaq për herë të parë në këshill G99 me 1 mandat, Partia Ligj dhe Drejtësi me 1 mandat dhe Partia Socialiste e Vërtetë 91 me 1 mandat.
Bashkia Berat
Në total numri i partive që përfaqësohen në këshillin e Bashkisë së Beratit mbetet i njëjtë. Në krahun e majtë rezulton të kenë hyrë për herë të parë në këtë forum me përfaqësues të tyre forca politike si Partia Demokracia Sociale, Partia e punës e Shqipërisë e Riorganizuar dhe G99 ndërsa janë rikonfirmuar PDK dhe PSD. Në krahun e djathtë kanë hyrë në këshill ndërsa nuk ishte më parë, PDIU, Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar. Nuk ka më përfaqësim për Aleancën Demokratike, Partinë Agrare Ambientaliste, PBDSH-në, PBDNJ dhe PDr. Sakaq, LSI dhe PR kanë rikonfirmuar pozitat e mëparshme në këtë nivel përfaqësimi.
Bashkia Fier
Pesë parti të vogla rezulton të kenë dalë jashtë përfaqësimi në Këshillin Bashkiak të qytetit të Fierit por kanë hyrë tre të reja. Konkretisht nuk kanë më mandate LZHK, PAA, PBK, PBDNJ dhe PDr ndërsa kanë hyrë për herë të parë Partia Socialiste e Moderuar, Partia Socialiste e Vërtetë 91 dhe Partia Demokracia Sociale. Sakaq, Lëvizja Socialiste për Integrim në të djathtë ka humbur një mandat dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka dyfishuar numrin e mandateve.
Bashkia Kukës
Nga 11 mandate që zotëroheshin prej të pavarurve në Këshillin Bashkiak të Kukësit tanimë do të jenë vetëm dy të tillë. Në kampin e opozitës kanë arritur të kenë përfaqësim disa forca politike të reja si Partia e Gjelbër, Partia Ardhmëria Shqiptare, Partia Reformatore Demokratike dhe Partia Socialiste e Moderuar. Forca të reja politike të vogla kanë arritur të marrin mandate edhe në koalicionin e së djathtës ku përfshihet Aleanca Europiane Ekologjike, Partia Konservatore dhe Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet.
Bashkia Elbasan
Numri i forcave politike të përfaqësuara në këshillin bashkiak të Elbasanit ka mbetur i njëjtë. Në kampin e së djathtës rezulton se ka pësuar rritje vetëm Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet me një mandat. Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbajtur të njëjtat mandate, PR ka humbur një ndërsa PLL dhe BLD kanë hyrë në përfaqësim politik në këtë organ teksa nuk ishin. Jashtë përfaqësimit ka mbetur edhe PBDNJ dhe LZHK ndërsa socialdemokratët në të majtë kanë pasur humbje në një mandat. Në të majtë kanë arritur të fitojnë vende që nuk i kishin PSV91 dhe Partia Ardhmëria Shqiptare.
BASHKIA TIRANE
Aleanca për të Ardhmen
27 këshilltarë
PS 25
PDS 1
PSV 1
Aleanca për Qytetarin
28 këshilltarë
PD 19
LSI 5
PDIU 2
PR 1
PLL 1
BASHKIA DURRËS
Aleanca për të Ardhmen
21 këshilltarë
PS 19
PDK 1
PDS 1
Aleanca për Qytetarin
24 këshilltarë
PD 15
PDIU 4
LSI 4
PR 1
BASHKIA VLORË
Aleanca për të Ardhmen
24 këshilltarë
PS 19
PDS 2
PDK 2
G99 1
Aleanca për Qytetarin
21 këshilltarë
PD 9
PDIU 5
LSI 3
PR 1
PBK 1
AD 1
PBKD 1
BASHKIA GJIROKASTËR
Aleanca për të Ardhmen
15 këshilltarë
PS 9
G99 2
PDK 1
PSD 1
PDS 1
PSV 1
Aleanca për Qytetarin
10 këshilltarë
PD 8
LSI 1
PBKD 1
BASHKIA KORÇË
Aleanca për të Ardhmen
18 këshilltarë
PS 15
PDS 1
PSD 1
PDK 1
Aleanca për Qytetarin
16 këshilltarë
PD 10
LSI 2
PR 2
PBK 1
BLD 1
BASHKIA SHKODËR
Aleanca për të Ardhmen
13 këshilltarë
PS 7
PDK 2
PDS 1
G99 1
PLD 1
PSV 1
Aleanca për Qytetarin
30 këshilltarë
PD 16
PR 4
LSI 4
PLL 1
PDIU 1
PBKD 1
PBK 1
BLD 1
AD 1
Jashtë koalicioneve
PBDNJ 1
PMDL 1
BASHKIA BERAT
Aleanca për të Ardhmen
17 këshilltarë
PS 12
PDK 1
PDS 1
PPSHr 1
G99 1
PSD 1
Aleanca për Qytetarin
17 këshilltarë
PD 8
LSI 5
PR 1
PDIU 1
PLL 1
PBK 1
Jashtë koalicioneve
LSHK 1
BASHKIA FIER
Aleanca për të Ardhmen
19 këshilltarë
PS 15
PDS 1
PSM 1
PSV 1
PSD 1
Aleanca për Qytetarin
16 këshilltarë
PD 7
PDIU 4
LSI 3
PR 2
BASHKIA KUKËS
Aleanca për të Ardhmen
8 këshilltarë
PS 2
PASH 1
PDK 1
PGJ 1
PRD 1
PSD 1
PSM 1
Aleanca për Qytetarin
15 mandate
PD 4
PLL 2
PR 2
PKon 1
PBK 1
PADS 1
LSI 1
BLD 1
AEE 1
AD 1
Jashtë koalicioneve
Dy mandate
BASHKIA ELBASAN
Aleanca për të Ardhmen
21 këshilltarë
PS 16
PDS 1
PSD 1
PASH 1
PDK 1
PSV 1
Aleanca për Qytetarin
24 këshilltarë
PD 10
LSI 4
PDIU 3
PR 2
PAA 2
PLL 1
AD 1
BLD 1