Surpriza e dytë, Kavaja kalon majtas edhe si Këshill Bashkiak
Kavajë, Elvis Rroshi merr detyrën si kryerbashkiak. Majtas shkon edhe Këshilli Bashkiak. Ish-kryetari i Bashkisë, Rugeja: “Mos e gëzofshi mandatin”.
KAVAJË Dhe surprizat nuk kanë të sosur për Bashkinë e Kavajës. Pas fitores së bashkisë nga një përfaqësues i majtë, Elvis Roshi, Kavaja ka vendosur që të drejtohet majtas edhe në këshill bashkiak. Në qytetin e Kavajës është zhvilluar konstituimi i këshillit bashkiak. Pas zgjedhjeve të 8 majit, votat e hedhura për subjektet politike i dhanë Partisë Demokratike 8 këshilltarë, 7 këshilltarë PS-së, 2 LSI-së, 2 PR-së, 2 LZHK-së, 2 PAD-së, 1 PDIU-së dhe 1 PBK-së. Por në votimin për kryetar të këshillit bashkiak, raportet kanë ndryshuar. Partia Socialiste propozoi si kandidaturë të sajën për kryetar këshilli, Aqif Havarikun, i cili ka qenë për afro dy vjet edhe kryetar i këshillit të kaluar, por në mesin e mandatit, shumica e djathtë e këtij këshilli, e shkarkoi atë nga detyra. Gjatë votimit, Aqif Haveriku ka marrë edhe votat e LSI-së, PAD-së, PDIU-së dhe PBK-së, të gjitha këto parti aleate të koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Ai fitoi 15 vota, nga 25 në total, dhe në këtë mënyrë është kryetari i këtij këshilli me mandat 4-vjeçar. Ndërkohë, ish- kryetari i kësaj bashkie, Refik Rrugeja, e ka drejtuar Bashkinë e Kavajës në dy mandatet e fundit. Ai ka qëndruar në detyrë derisa është konstituuar këshilli i ri bashkë me kryetarin, por kur ka dalë nga zyra e ka “uruar” pasardhësin e tij me fjalët: “Mos e gëzofshi mandatin”. Kaq ka mjaftuar, që disa mbështetës të Rroshit të konfliktohen me të, i cili është qëlluar disa herë gjatë kohës, që ka hipur në autoveturën e tij për tu larguar nga bashkia.
Rroshi merr detyrën
Ndërkohë, Elvis Rroshi, kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës, ka marrë dje zyrtarisht detyrën, duke qenë kryetari i gjashtë që drejton bashkinë e këtij qyteti, me rreth 40 mijë banorë që nga viti 1990. Që në mëngjes herët, në qytetin e Kavajës banda frymore ka nisur ekzekutimin e marrsheve të ndryshme, ndërsa shumë qytetarë kanë qenë të pranishëm në godinën para bashkisë. Fillimisht, nënkryetarja e sapoemëruar e Bashkisë së Kavajës, Fatbardha Biturku, ish- këshilltare e pavarur në këshillin bashkiak të kaluar, ka hapur ceremoninë për marrjen e detyrës nga kryetari i bashkisë, Elvis Rroshi. Biturku është shprehur se ky staf që merr sot detyrën është një staf i përzgjedhur në bazë të profesionalizmit dhe dëshirës për të shërbyer ndaj qytetit dhe qytetarëve. “Bashkia nuk do të jetë e mbushur me militantë partiakë dhe njerëz klanesh, por njerëz me ide për të bërë më të mirën për qytetin, bashkë me Këshillin Bashkiak që do të jetë tribuna e debatit për të mirën e tij”, - tha ajo. Më pas, kryetari i këshillit bashkiak të Kavajës, Aqif Haveriku, i ka vendosur kryetarit të bashkisë shiritin kuqezi, që mbahet në festa zyrtare dhe gjatë pritjeve të ndryshme. Ai i dorëzoi kryetarit të parë të majtë të kësaj bashkie, edhe çelësin e qytetit, një simbol që ka munguar në ceremonitë e kaluara të marrjes së detyrës nga kryetarët e kësaj bashkie. Elvis Rroshi, duke përshëndetur qytetarët e Kavajës është shprehur se: “Dua të falënderoj demokratët dhe socialistët që më votuan në zgjedhjet e 8 majit. Dua t’ju them të gjithëve se bashkia do të jetë e hapur 24 orë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe ne do t’i futemi punës për të rifituar kohën e humbur për të bërë më shumë për këtë qytet, për përmirësimin e shërbimeve dhe jetës së qytetarëve”. Gjatë hyrjes në zyrën e kryetarit, në katin e dytë të ndërtesës, kryetari Elvis Rroshi sapo ka hyrë ka hequr kolltukun që mbante deri tri ditë më parë paraardhësi i tij Refik Rrugeja, duke vendosur aty një karrige të thjeshtë. Të pranishëm në zyrë kanë qenë edhe drejtues të tjerë të bashkisë, si dhe deputeti i Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Elvis Rroshi ka firmosur vendimet e para, ndërsa është shprehur se sapo të zbardhet vendimi i prefekturës për firmosjen e konstituimit të këshillit bashkiak, do të kërkohet një mbledhje e shpejtë vetëm për të kaluar ndihmën ekonomike. Ndihma ekonomike ka tre muaj që nuk është ndarë për familjet në nevojë, për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve të 8 majit dhe përfundimit të mandatit të këshillit të kaluar.