Në arrest shtëpie 3 mjekë e 2 infermierë të 'Koço Gliozheni"
TIRANË- Tre mjekë e dy infermierë janë vënë sot në arrest shtëpie, pas një vendimi të marrë nga Gjykata e Tiranës. Sipas burimeve policore, mjekët akuzohen për ryshfet dhe mitmarrje dhe kanë qenë prej dy muajsh nën hetim.
Mjekët dhe infermierët e arrestuar janë pjesë e stafit të maternitetit "Koço Gliozheni" në Tiranë. Ndalimi i tyre u bë në kuadër të operacionit të koduar "Trashëgimtari"
"Në arrest shtëpie u lanë shtetasit: Petrit Rexhepi, 56-vjeç, shef pavijoni në këtë maternitet; Dritan Xhangolli, 38-vjeç, reanimator; Hyre Reci, 54-vjeç, infermiere-mami; Nilka Perhati, 57-vjeç, infermiere-mami dhe mjeku anestezist Lefter Mano, 53-vjeç"- thanë burimet policore.
Sipas të njëjtit burim, këta persona dyshohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash, kundrejt ofrimit të shërbimit mjekësor në (lindje normale dhe lindje me operacion), për disa shtetase.
Procedimi penal në ngarkim të tyre, filloj mbi bazën e disa kallëzimeve të kryera nga disa paciente, të cilat kanë deklaruar se stafi mjekësor i lartë përmendur, kanë përfituar prej tyre, një shumë të konsiderueshme parash, për ofrimin e shërbimeve mjekësore të mësipërme. Mbi ta rëndon akuza e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike".