Ryshfeti, rritet torta e korrupsionit
Banka Botërore thotë se numri i bizneseve në Shqipëri që raportojnë se kanë rënë pre e korrupsionit është ulur. Sipas një studimi të fundit të bankës, numri i bizneseve që kanë paguar ryshfete ka rënë nga 48 për qind që ishte në 2005-n, në 13 për qind në fund të vitit 2008. Por më shumë se sa një rënie e mirëfilltë e kostos së korrupsionit për biznesin, këto tregues ngjajnë më shumë me një ndryshim strategjie të zyrtarëve që marrin ryshfet.
Nëse numri i bizneseve që kanë raportuar se paguajnë ryshfet ka rënë me 3.5 herë, fatura e ryshfeteve e atyre që paguajnë është rritur me katër herë. Banka thotë se firmat që bien pre e korrupsionit në Shqipëri paguajnë sot mesatarisht 10.2 për qind të xhiros vjetore si ryshfete për zyrtarët nga 2.5 për qind që paguanin në vitin 2005. E thënë ndryshe, sipas bankës, sot paguajnë ryshfete më pak biznese, por ato që bien pre, paguajnë faturë të kripur. Këto rezultate tregojnë se në total kostoja e korrupsionit për bizneset mund të mos jetë ulur, por vetëm zyrtarët e kanë përqendruar mitëmarrjen në pak biznese. Një tjetër shqetësim mbetet korrupsioni i lartë në fushën e prokurimeve publike dhe kontratave të qeverisë, tregues me tendenca të forta përkeqësimi në dy vitet e fundit. Sipas bankës, në vitin 2005, rreth 58 për qind e bizneseve që kanë marrë pjesë në prokurime publike kanë raportuar se kanë paguar ryshfet. Në vitin 2007 shifra u ul në 45 për qind, por në fund të 2009-s, ajo u rrit sërish në 55 për qind. Kjo shifër që është gati e barabartë me vitin 2005, hedh dyshime të forta mbi suksesin e prokurimeve elektronike, fort të trumbetuara nga qeveria, por që sipas bankës jo vetëm nuk po e ulin korrupsionin, por po e rrisin atë.
#