I sëmuri mendor bën masakër në spital

I sëmuri mendor godet me thikë tri punonjëse të spitalit psikiatrik të Vlorës. Njëra prej tyre ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që policia ka izoluar agresorin.
Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 15:00 kur 35-vjeçari Altin Doko, nga Përmeti, i shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës, ka qëlluar fillimisht me thikë pjatalarësen e spitalit, Bejaze Ronkulli, 50 vjeçe. Më pas, pre e agresionit të të sëmurit mendor kanë rënë edhe dy sanitaret e spitalit, të cilat kanë ndërhyrë pasi kanë dëgjuar thirrjet për ndihmë të 50-vjeçares. Ato kanë tentuar të shpëtojnë kolegen e tyre, por janë sulmuar me të njëjtën armë të ftohtë, duke mbetur të plagosura.
Mësohet se 35-vjeçari është izoluar që prej 6 vitesh në spitalin psikiatrik të Vlorës, pas një vendimi të Gjykatës së Gjirokastrës.
Ai ka hyrë në kuzhinën e spitalit, ku ka qenë duke u marrë me larjen e enëve të drekës 50-vjeçarja Ronkulli. Kjo e fundit i ka kërkuar pacientit të largohej nga ambientet e kuzhinës, por pas kësaj i sëmuri ka rrëmbyer një thikë buke që ndodhej mbi tavolinë dhe është sulur për ta goditur.
Gruaja është qëlluar disa herë në trup dhe ka rënë përtokë. “Thika i ka shkaktuar plagë në gjymtyrë dhe në kraharor. Tehu i thikës i ka prekur edhe mushkëritë, gjë që e rëndon gjendjen e saj shëndetësore”, kanë sqaruar bluzat e bardha të repartit të reanimacionit të spitalit rajonal të Vlorës, ku janë dërguar tri gratë e plagosura. Ndërkohë, mësohet se dy sanitaret e spitalit psikiatrik janë lënduar lehtë në shpatull e duar dhe nuk paraqesin rrezik për jetën.
Kanë qenë pjesëtarët e stafit mjekësor ata që kanë bërë të mundur evitimin e masakrës dhe kanë tërhequr të sëmurin mendor nga kuzhina. Bejaze Ronkulli është shoqëruar menjëherë për në spitalin rajonal të Vlorës, ku ende ndodhet në sallën e reanimacionit nën mbikëqyrjen e mjekëve, ndërsa dy sanitaret janë mjekuar dhe janë lejuar të largohen për banesat e tyre.
Nga ana e policisë është e pamundur të bëhen veprime ndaj autorit të plagosjes, 35-vjeçarit Altin Doko, i cili është shtruar në spitalin psikiatrik rreth 6 vjet më parë, në bazë të një vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës. Sipas të këtij vendimi, Doko është cilësuar si person i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm. Ai u akuzua në vitin 2005 për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, por meqenëse ishte i paaftë mendërisht nuk u dënua me burg, por u izolua në psikiatri.
Prej vitit 2004 ai qëndron i shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës, ku sipas mjekëve ka shfaqur disa herë agresivitetin. Për këtë shkak, nga stafi mjekësor ka pasur disa herë kërkesa që ky i sëmur të transferohej në një institucion tjetër, por asgjë nuk është bërë deri dje.
#