E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’e duan “Kosovën”

Një ligjëratë e ndaluar në simpoziumin “Java e Shkencës”, e historianit kosovar, Jusuf Buxhovi, riktheu çështjen e ndryshimit të librave historikë të Kosovës. Megjithëse, kësaj radhe në një nivel shumë më të lartë se ai shkollor.

Kur, më 19 gusht të vitit të kaluar, për vizitë në Prishtinë erdhi ministri turk i Arsimit, Omer Dincer, shumëkush mendoi se ai do të shqyrtonte mundësitë e investimit të Turqisë në sektorin e arsimit kosovar. Në vend të kësaj, ishte një kërkesë e pazakontë, që Dincer ia bëri homologut të tij kosovar, Ramë Buja, ajo që nxiti reagime të shumta të opinionit të këtushëm.

Mysafiri i lartë turk kërkoi që nikoqirët t’i ndryshonin tekstet shkollore të historisë, sidomos kapitujt në të cilët përdoreshin fjalë fyese për turqit. Kjo kërkesë e tij hasi në mirëkuptimin e ministrit kosovar të Arsimit, i cili sqaroi se, do të krijohet komisione të cilat do të verifikojnë tekstet dhe do të bëjnë ndryshime aty ku vërtet ka nevojë.

"Nuk u tha se do të ndryshohet historia, u tha se do të korrigjohen ata kapituj ku ka pjesë fyese për popullin turk. Kjo do të korrigjohet, por jo të ndryshohet historia, sepse ne s’mund ta ndryshojmë historinë që ka ndodhur", pat thënë ministri Buja asokohe, derisa po sqaronte se këto korrigjime do të bëheshin nga komisionet e përbashkëta të të dy vendeve.

Mirëpo, tetë muaj më vonë po del se, përpos librave shkollorë të historisë, pjesë e këtyre “korrigjimeve” do të mund të jenë edhe librat e shkruar për një audiencë shumë më të gjerë se ajo shkollore. Kështu që paktën rezulton nga reagimi i fundit i Ministrisë së z. Buja ndaj historianit, Jusuf Buxhovi, të cilit, drejtori i Departamentit të Shkencës në këtë ministri ia pamundësoi elaborimin e planifikuar për “Javën e Shkencës”.

“I nderuari profesor Buxhovi. Me keqardhje më duhet t'ju informoj se jam i detyruar të anuloj marrëveshjen tonë lidhur me ligjëratën tuaj, të paraparë për datën 17, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Kërkoj ndjesë për këtë jokorrektësh”, thuhet në sqarimin e shkurtër, që Buxhovit iu dërgua më 15 maj nga ana e drejtorit të Departamentit të Shkencës dhe Teknologjisë në MASHT, Murteza Osdautaj.

I kontaktuar nga gazeta, z. Osdautaj thekson se ligjërata e planifikuar e z. Buxhovi është pezulluar “për shkaqe teknike”. Ndërkaq, i pyetur nëse me këto shkaqe teknike nënkupton komunikimin e tij me ministrin Buja, z. Osdautaj u përgjigj shkurt:

“Ju lutem, nuk kam çfarë të them tjetër. Kjo është e gjithë deklarata ime”.

Për dallim nga zyrtari i lartë i MASHT’it, z. Buxhovi duket se ka çka thotë. Shumë madje.

Historiani kosovar pohon se qëndrimi i z. Osdautaj, në fakt, paraqet qëndrimin e vetë ministrit Buja karshi librit të tij, dhe fjalës së lirë në përgjithësi.

“Nuk më takon të merrem me arsyet [e pezullimit të ligjëratës], edhe pse ato janë të dukshme, por me pasojat, që në rastin konkret kanë të bëjë me eliminimin tim arbitrar nga ‘Java e Shkencës’, gjë që paraqet një dhunë të paparë ndaj shkencës, mendimit të lirë shkencor dhe fjalës së lirë në përgjithësi”, thekson Buxhovi.

“Ato që u thanë sot nga ministri Buja, si dhe ‘arsyetimet’ e tij se ‘nuk ka hequr askënd nga programi’, tregojnë një arrogancë që nuk do të duhej të kalonte pa u gjykuar, jo vetëm nga qarqet shkencore, me të cilat tallet, por edhe nga opinioni ynë i gjerë intelektual dhe shoqëror, i cili nuk duhet të lejojë instalimin e dhunës totalitare, që çon kah diktatura”, shton ai.

Ndryshe, Buxhovi ka përmendur në media një ndërlidhje interesante mes veprimit të Ministrisë së ministrit Buja dhe premtimeve që ky i fundit ia dha ministrit turk të arsimit, Omer Dincer, se në tekstet shkollore të historisë do të ndryshohet qëndrimi i deritanishëm ndaj Perandorisë Osmane.

“Sjellja e atëhershme e ministrit Buja, por edhe qeverisë së Kosovës, është kritikuar me të drejtë, jo vetëm nga unë, që kam qenë më i zëshmi dhe më i drejtpërdrejti, por edhe nga Instituti i Historisë së Kosovës, edhe pse ka munguar edhe një reagim i spektrit të gjerë intelektual”, sqaron Buxhovi.

“E kam thënë edhe atëherë, e po e them edhe sot, se sjellja e ministrit Buja karshi kërkesave të ministrit turk, që të ndryshohen disa nga vlerësimet në tekstet shkollore rreth Perandorisë Osmane (fjala pushtues të zëvendësohet me ‘administrim’ osman, e të ngjashme!) ka qenë skandaloze.

Me këtë rast duhet thënë se qeveritarët e tanishëm të Kosovës, por edhe klasa politike në përgjithësi, nuk janë të ‘xhymert’ vetëm ndaj qeveritarëve turq, të cilëve u përkulen dhe janë në gjendje që faktet historike t'i teleisin në përputhje me qejfin e tyre, por u treguan dorëshlirë edhe ndaj Serbisë, së cilës, me Pakon e Ahtisaarit, dhe duke pranuar që objektet e krishterimit të konsiderohen si objekte kulti të ortodoksisë serbe, ia dhanë tapitë shpirtërore. Kjo gjë do të ketë pasoja tepër të rënda për Kosovën edhe në planin politik, meqë mbi to Beogradi po ndërton ‘tapitë rreth ‘së drejtës historike’, të cilat ai herëdokur do i kërkojë.

Pra, ata që pranojnë ta qesin historinë në ankand, sigurisht që s’janë të interesuar që t'i jepet fjala një historiani, i cili jo vetëm që e kundërshton këtë gjë, por kërkon që kjo sjellje të marrë fund para se të bëhet vonë”, shton ai.

Nga ana tjetër, libri “Kosova” (gjegjësisht tre vëllimet e tij), i Jusuf Buxhovit, është pritur shumë mirë nga lexuesit shqiptarë. Por, është kjo hera e parë që një institucion i lartë shtetëror i arsimit librin e Buxhovit ta ketë cilësuar publikisht si një “histori të tij”. Del se, Ministria e Arsimit sikur e konteston përmbajtjen e librit të Buxhovit.

“Libri, me tri botime brenda tre muajsh dhe me një tirazh prej 12,000 ekzemplarësh, është bërë libër familjar dhe popullor. Si i tillë, është kthyer në një identifikim shpirtëror dhe kulturor, me të cilin njeriu ynë i nëpërkëmbur nga kjo politikë, mbrohet nga nënçmimi i mëtutjeshëm që po i bëhet me retorikën politike të multi-kultit, ku ata nuk duhet të identifikohen me lashtësinë antike dhe vlerat e qytetërimit perëndimor (origjina pellazgo-ilire), por me mjegullën e çorbës ballkanike, që po servohet nga të gjitha anët.

Kur kësaj t’i shtohet edhe reagimi i Beogradit kundër ‘Kosovës’, ngase e quajti libër ‘nacionalist’, ‘shovinist’, ‘antiserb’ etj, bëhet edhe më e qartë pse ‘Kosova’ shfaqet si emblemë historike dhe kulturore e shqiptarëve, të cilët i mbron nga ky zhvlerësim i vazhdueshëm, që vjen nga tregtarë flamujsh që promovojnë gjithfarë identitetesh, e ku Kosova mund të jetë gjithçka pos shqiptare”, nënvizon autori i librit “Kosova”.

Sipas Buxhovit, sikur po qartësohet edhe një fakt tjetër i hidhur, se “edhe ndër ne ka nga ata që nuk e duan epitetin e popullit antik dhe ‘bijve të perëndive të Olimpit’, siç thotë Homeri dhe e pranon Naimi ynë i madh, por që e kërkojnë gullashin ballkanik, siç po e servon Shmidti dhe historianët serbë”.

“Për fat keq, njëri nga këshilltarët e ministrit Buja ka hyrë në këtë valle, duke e cilësuar librin si ‘nacionalist’ dhe ‘helmues’, gjë që ia kaloi propagandës së Beogradit. Andaj, nuk është për t'u habitur pse ky libër duhet të hiqet nga ‘Java e Shkencës’, meqë, me apo pa dashje, zyrtarët e tanishëm në këtë mënyrë marrin poenë para padronëve, të cilët kërkojnë ‘një histori qytetare’ dhe assesi një histori kombëtare, që shqiptarët i nxjerr me rrënjë në antikitet”, shprehet tutje Buxhovi.

Përkundër përpjekjeve që gazeta bëri për të kontaktuar ministrin Buja, dhe që nga ai të merrte arsyet e ndërhyrjes së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në përzgjedhjen e ligjëruesve në një tubim shkencor, kontakti me ministrin nuk ishte i mundur. Buxhovi ndërkaq ka një mendim edhe për këtë interferencë të politikës.

“Sjellja e Bujës tregon se politika e tanishme kërkon vasalë dhe të dëgjueshëm. Porosia që erdhi sot ka të bëjë me atë se shkencëtarët duhet të kalojnë nëpër filtrin e politikës dhe të ‘bëjnë shkencë’ sipas kutit politik. Ose, do të eliminohen”.

Sqarimi i Bujës

Lidhur me rastin e ndalimit të ligjëratës së Jusuf Buxhovit në “Javën e Shkencës, sipas agjencisë Kosovapress, ministri i MAShT, Ramë Buja, ka sqaruar se:

“Sot në media tona të shkruara del diçka që mua më rrëqeth dhe më duhet bukur banale. Del se, unë paskam dhënë një urdhër politik që t’i ndalohet dikujt fjala këtu në konferencën shkencore, dhe se është fjala për të nderuarin Jusuf Buxhovi. Gjoja se unë paskam thënë që nuk na duhet historia e tij. Më ndjeni, të nderuar shkencëtarë, se unë s’e kam pasur kurrë parim që të japë vlerësime për veprën e palexuar, e unë nuk e kam lexuar veprën e Buxhovit, andaj edhe nuk them as që vlen e as që nuk vlen. Unë kam dhënë një kohë urdhra ushtarak, por asnjëherë urdhra politikë. Unë bëjë sugjerime politike, por punë politike asnjëherë jo”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›