S’ka më polic me këmishë të bardhë

Prishtinë, 01 gusht – Eprorët e policisë, apo ndryshe siç janë quajtur “këmishët e bardha”, nuk do të kenë më ndjesinë e “superioritetit” ndaj pjesëtarëve të thjeshtë të policisë. Policët me grada më të larta se togeri kanë nisur të veshin këmisha të kaltra dhe i kanë hequr ato të bardhat që i kishin më parë, shkruan Koha Ditore. Këtë vendim e ka marrë drejtori i Policisë, Behar Selimi, i cili ka deklaruar se është standard evropian që të gjithë policët të duken njëjtë. “është standard dhe praktikë e mirë evropiane që eprorët në punë ditore të kenë uniformë të njëjtë me zyrtarët e tjerë policorë, kurse të dallojnë me përgjegjësi gradash, e jo me ngjyrë këmishe”, ka deklaruar Selimi. Ai madje ka ironizuar pak me “këmishët e bardha”. “Pastaj edhe qenë përzier shumë këmisha të bardha të kompanive të ndryshme të sigurimit fizik, të doganave etj., dhe policia, eprorë e policë, duhet të dallohet më lehtë nga qytetari në krahasim me uniforma të tjera”, është shprehur Selimi. E ky vendim, sipas Selimit, do të ndikojë edhe xhepin e “këmishëve të bardha”. “Fundja, në Kosovë nuk është lehtë të jesh pjesëtar policie dhe të mbash këmishë të bardhë e të pastër, qoftë edhe gjysmë orari. Pra është ekonomikisht më e arsyeshme”, ka thënë ai.