S’ka zëra për ndarje të PDK-së

Sa i përket zërave të ndryshëm që dalin nga disa anëtarë të kryesisë së PDK-së, të cilët kohëve të fundit kanë nisur të fuqizohen, Xhavit Haliti nuk i sheh si ndonjë rrezik, duke thënë se në parti gjithmonë ka pasur mendime të kundërta, siç i ka ndodhur edhe vetë atij.
“Mendime të kundërta në parti ka pasur gjithmonë dhe në të kaluarën unë kam qenë një zë i veçantë për çështje të caktuara që kam pasur mendimin tim. Sidoqoftë, tani edhe kjo që po diskutohet dhe po debatohet mendoj se është në kuadër të demokracisë së brendshme që e ka partia. Edhe mendimi për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit, të daljes së votim një anëtar një votë propozuar nga Limaj që është një propozim i mëhershëm që na e ka bërë edhe NDA dhe që disa parti në rajon e kanë në programin e vet, nuk do të thotë që në parti ka ndonjë qarje, ndonjë krizë, e cila nuk mund të kapërcehet”, ka thënë Haliti.
I pyetur se si i komenton deklarimet e Jakup Krasniqit dhe të Fatmir Limës se në PDK ka diktaturë, Haliti ka thënë se në PDK nuk ka diktaturë, por është liria e mendimit dhe e shpalosjes së ideve që mund të rezultojnë të suksesshme në parti.
“Të thuash diktaturë tingëllon ndryshe në kuptimin e asaj se publikisht kur e thua diktaturë domethënë se ti s’ke qenë, s’ke pas mundësi me marrë asnjë vendim, a s’ke qenë kurrkund kur janë marrë vendime të dytë, për shembull Fatmiri është nënkryetar i parë i PDK-së edhe zotëri Krasniqi është Sekretar i Përgjithshëm që është pozicioni i dytë pas kryetarit”, ka thënë ai.
Sipas tij, paraqitja publike e Kadri Veselit për të qenë pjesë e strukturës udhëheqëse në PDK, është e drejtë e tij, që e garanton edhe statuti i kësaj partie. “Ambiciet e zotëri Veselit për të qenë pjesë e ekipit drejtues ose edhe drejtues i PDK-së është e drejtë e garantuar edhe me statutin e partisë dhe këto çështje janë të rregulluara me statutin e partisë. Ju e dini që në të kaluarën ne figurat e caktuara politike kemi pranuar edhe në organet drejtuese edhe kur ato nuk i kanë plotësuar kushtet që i parasheh statuti për shkak të natyrës dhe interesit politik që e ka pas PDK-ja dhe kjo është krejtësisht normale dhe këtë e kemi bërë në pajtueshmëri të plotë në organet e partisë. Ideja dhe paraqitja publike e Veselit që të jetë pjesë e ekipit drejtues të partisë, unë e kam thënë edhe më herët publikisht se është e drejtë e tij sepse ai është njeri i vyer, ai ka qenë gjithmonë me neve, nuk po vjen me parashutë nga ndonjë planet tjetër”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se askush nuk duhet të ketë frikë nga zgjedhja e Kadri Veselin në krye të partisë ose në strukturën udhëheqësi të partisë.
Ndërkaq lidhur me zërat se disa anëtarë të kryesisë së PDK-së që mendojnë ndryshe nga shumica e kësaj partie ekziston rreziku që ta themelojnë një parti të re, Xhavit Haliti ka thënë se deri më tani nuk ka rastisur në asnjërin prej anëtarëve të kryesisë ose edhe të tjerëve në strukturat udhëheqëse që dëshiron të dalin nga PDK-ja.
“Unë deri më tash nuk kam rastisë asnjërin nga anëtarët e kryesisë së partisë, as këshillit drejtues, i cili është deklaruar se dëshiron të dalë nga PDK-ja ose dëshiron që të formojë një parti të re, sepse në këtë aludohet. Me të gjithë ata që bisedoj, edhe publikisht deklarimet e tyre janë që opsionin që e japin për ecjen përpara e shohin si një variant në i mirë për PDK-në. Në qoftë se është kështu, atëherë mundësitë tona dhe mundësitë e tyre janë që gjatë procesit të organizimit të kongresit të sjellin idetë e tyre, t’i bëjnë publike idetë dhe platformat e tyre, qoftë për ta ndryshuar statutin e partisë, qoftë për të ndryshuar programin e partisë, qoftë për profilin e partisë, i cili në opinion është ndryshe, deklarativisht është ndryshe”, ka thënë Haliti.
Gjatë një interviste në televizionin”Rrokum”, Haliti po ashtu ka thënë se me të gjithë ata që ka biseduar dhe që janë deklaruar edhe publikisht, propozimet e tyre kanë qenë në të mirë të PDK-së. /Kosovapress/