E Diel, 1 Nëntor 2026

SA KOHë Që NUK DUAM Të KUPTOJMë, GJITHNJë DO TA PëSOJMë...

Ka dhjetë ditë që një grup të burgosurish politikë të diktaturës janë në grevë urie. Vetëm kjo do ta trazonte qetësinë e çdo shoqërie normale jo vetëm në kontinentin ku kemi fatin të bëjmë pjesë, qoftë dhe për së largu. Por kjo nuk e trazon fare shoqërinë tonë të këtij tranzicioni zullumemadh. Dhe ata të burgosurit e diktaturës së djeshme janë në grevë urie aty në oborrin e godinës së të ashtuquajturit "Institutit i Integrimit" dhe të shoqatave të tyre të shumta. Janë në grevë urie në oborrin e godinës së tyre të vetme, sepse drejtuesit e atij instituti dhe të shoqatave të tyre të shumta nuk i qasin brenda që të mos prishen me pushtetin(!)...

Janë në grevë urie ata që kanë qenë një jetë të tërë të dënuar me grevë urie, vetëm sepse e deshën lirinë pak më shumë se të tjerët dhe shoqëria jonë e tranzicionit mban po të njëjtën heshtje e po të njëjtin qëndrim me pushtetarët e saj të kthyer tashmë nga "revolucionarë proletarë" në "borgjezë fisnikë"...

Ky është lajmi që gjetiu në këtë kontinentin tonë fatlum do të kishte trazuar keq një shoqëri të tërë. Por nuk ndodh kështu në vendin tonë me demokraci gjenetikisht të ndryshuar, me një klasë politike të klonuar në laboratorin e Partisë së Punës, një klasë me sa duket e punësuar në politikë për të qeverisur mirë punët e veta dhe për të çqeverisur si mos më keq punët e vendit. Të këtij vendit tonë të varfër me një ekonomi aq informale sa nuk e ndien fare as krizën e rëndë ekonomike botërore, me një kastë kapitalistësh të partishëm që pasurohen përditë e më shumë duke shkelur të gjitha ligjet e normat e kapitalizmit, me një sistem drejtësie që bën garë me tregun e Gabit, me një shoqëri të katandisur - për ta thënë tok me një gazetë të huaj - pa kujtesë historike e pa vetëdije të mirëfilltë qytetare, po ta quajmë dhe ne politikën shërbim qytetar, siç e quan gjithë bota e qytetëruar.

Përse kjo pandjeshmëri ndaj një grupi të dënuarish politikë të diktaturës, që kanë plot dhjetë ditë në grevë urie, aty në oborrin e ftohtë të ish-Bibliotekës së Miqësisë me Bashkimin Sovjetik? Sepse, si pjesë e kësaj shoqërie, edhe shumica e të burgosurve politikë të asaj të djeshmeje që nuk po dëgjon të na largohet, sikur nuk kanë dashur të kuptojnë kur duhet, si duhet e ato që duhet...

Sepse janë po këta të burgosur politikë të diktaturës që kanë dy dekada në pritje të ndërtimit të demokracisë nga sovjetikët tanë të djeshëm. Janë po këta të burgosur e të përndjekur të diktaturës, që edhe kur patën një grup me mbi tridhjetë deputetë nga shtresa e tyre, në vend që të përfaqësonin në Parlament shtresën e vet dhe t‘u thoshin "MJAFT!" sovjetikëve tanë të sotëm, që shkruanin dhe për ta letrat e hapura të Partisë së Punës, i dërguan komandantit të atëhershëm të pushtetit një letër besnikërie, një kopje e letrës së dikurshme të kooperativistëve të Fier-Sheganit për "udhëheqësin legjendar" të Partisë e të popullit.

Me një fjalë nuk deshën të kuptojnë dhe kanë tashmë dy dekada që e pësojnë. Kanë dy dekada të gjata që presin dëmshpërblimin e miratuar nga ligji, por aq të vështirësuar nga Maliqi, sikurse presin sovjetikët tanë të rinj që të burgosurit e diktaturës së djeshme të shuhen në pritje të zbatimit të ligjit. Dhe kjo në një kohë që byroistët e dënuar se "kishin shkelur dietën e kafesë" u shpërblyen menjëherë dhe me një shumë disa herë më të lartë për ditë burgu.

Atëherë cilët presin të burgosurit politikë që t‘u zgjidhë kërkesën e tyre të thjeshtë për të zbatuar ligjin mbi dëmshpërblimin për vitet e burgut të diktaturës? Maliqët besnikë të po asaj diktature? Përse nuk protestojnë në forma të tjera pa e dëmtuar veten, po hyjnë në grevë urie? Që të plotësojnë më shpejt dëshirën e pushtetarëve për t‘u shuar pa arritur të marrin asnjë këst të atij dëmshpërblimi, që u njohu ligji pas dy dekadash? As pas dy dekadash me pushtetin e sovjetikëve tanë të rinj, nuk duam të kuptojmë, por gjithnjë të pësojmë?...

Ku i kanë kryesitë e 17 shoqatave të burgosurit e diktaturës, që bëjnë grevë urie në oborrin e të ashtuquajturit Institut të Integrimit? Po drejtuesit e atij instituti pse nuk i lejojnë të "integrohen" të paktën në kohën e grevës së urisë brenda mjediseve të asaj godine, po i lënë jashtë në qiell të hapët? As kaq nuk duan të kuptojnë ata të shkretë, që ato shoqata të shumta dhe ai institut janë më shumë të pushtetit se të të burgosurve të diktaturës?

Nuk duam të kuptojmë të gjithë tok që trashëgimtarët e Partisë së Punës janë dehur aq keq nga trashëgimi i pushtetit, sa po binden përditë e më tepër se kanë trashëguar me tapinë e pushtetit edhe vetë Shqipërinë? Them nuk duam të kuptojmë të gjithë tok, sepse kjo mungesë dëshire për të kuptuar të vërtetën, nuk është vetëm e të burgosurve të diktaturës.

Është edhe e pronarëve të ligjshëm, që nuk duan të kuptojnë se pushtetarët e tranzicionit kanë vetëm një detyrë - t‘i shpronësojnë pronarët e vërtetë me ligje të reja po aq bolshevike sa ato të pararendësve të tyre me uniforma ushtarake...

A nuk kanë dy dekada dhe pronarët tanë të ligjshëm që u përqallen pushtetarëve të tranzicionit për të marrë pronat, që u kanë lënë trashëgim të parët? Pse duhet t‘u luten pushtetarëve për një të drejtë të tyre që ua ka dhënë me kohë robi dhe Zoti, në vend që të krijonin me kohë grupimin e tyre politik dhe të tundnin Parlamentin për të drejtën e shenjtë të pronës? Nga kush presin t‘u njohë të drejtën e pronës edhe pas dy dekadave zhgënjim? As pronarët nuk duan të kuptojnë se pushtetarët e tranzicionit tonë nuk janë përfaqësues të interesave të pronarëve të ligjshëm, por janë përfaqësues të pronarëve të rinj të paligjshëm e gjithnjë të partishëm? As pronarët tanë të vërtetë nuk duan të kuptojnë se nuk duhet t‘i presin të drejtat dhe pronat e tyre nga pushtetarët tanë të tranzicionit, madje as duke i dërguar letra Brukselit. As pas dy dekadave zhgënjim nuk duan të kuptojnë pronarët tanë të vërtetë se, dhe kur ndeshen me njëra-tjetrën policitë tona të larmishme, ndeshen për interesat e pushtetarëve-pronarë të rinj dhe jo për interesat e pronarëve të ligjshëm?

Po gazetarët tanë pse nuk deshën të kuptojnë me kohë se ndarja e tyre në tifozë të klaneve politike do t‘i largonte shumë nga profesioni i tyre, por kujtohen të bëjnë opozitarin vetëm kur e pësojnë nga ajo e keqe që kanë ndihmuar dhe vetë? Pse nuk deshën të kuptojnë gazetarët tanë se shpallja e shpifjes si "virtyt i njeriut të Ri" ishte një tallje e rëndë me ta dhe me profesionin e tyre fisnik? Pse heshtën gazetarët tanë kur pushteti i deklaroi si të papërgjegjshëm, duke urdhëruar "institucionet zyrtare që të mos i padisnin kurrë gazetarët"? Nuk duan as gazetarët të kuptojnë se të mos dënosh shpifjen, do të thotë të mendosh se gazetarët vetëm shpifin? Nuk duan as gazetarët tanë të kuptojnë se të urdhërosh mospaditjen e shpifjes së gazetarëve, do të thotë të tallesh si me gazetarët dhe me gjykatat? Nuk duam të gjithë tok të kuptojmë se kur e ndihmojmë pushtetin të trashë zullumet, një ditë do na kthehen zullumet e pushtetit për koke? Shumë mirë bënë shoqatat e gazetarëve që protestuan përpara pallatit të pushtetit për dhunimin e një kolegu të tyre. Por ndoshta duhet ta kishin bërë këtë protestë qysh kur u rrahën ato nënat e verbra mu aty përpara pallatit të pushtetit. Bënë shumë mirë gazetarët e qytetarët që protestuan përpara pallatit të pushtetit për dhunimin e një kolegu të tyre, por ndoshta duhet ta kishin bërë një protestë të tillë qysh kur pallati i pushtetit urdhëroi ligjërimin e shpifjes dhe i shpalli zyrtarisht gazetarët të papërgjegjshëm. Nuk deshën vërtet të kuptojnë atëherë gazetarët tanë, apo u pëlqeu të shpalleshin të papërgjegjshëm si deputetët?...

Po gjithë ata oficerë në lirim, që kanë vite duke kërkuar nga pushteti të drejtën e tyre të pensionit, pse e lanë vetëm kolonel Pashain kur denoncoi një marrëveshje që cenon integritetin territorial të Atdheut? Nuk duan të kuptojnë as oficerët tanë, apo e harrojnë betimin e ushtarakut kur kërkojnë rritjen e pensionit? Vërtet që pensionet e tyre janë një e drejtë e ligjshme, por po aq e ligjshme është dhe e drejta e qytetarëve për të kërkuar transparencë të plotë nga institucionet zyrtare, kur bëhet fjalë për integritetin e Atdheut, se Atdheu nuk është vetëm i pushtetarëve. Atdheu është i të gjithë qytetarëve e jo vetëm i kolonel Pashait. Pse nuk u kujtuan oficerët tanë në lirim të bënin një protestë si për pensionet edhe për atë marrëveshje aq të paqartë në dëm të integritetit territorial të vendit?...

Dhe për ta mbyllur me deputetët tanë - në vend të ëmbëlsirës që lihet për në fund - si nuk u kujtuan deputetët tanë të bënin një grevë urie njëditore të paktën, kur u vranë 26 qytetarë të pafajshëm në Gërdec, por bënë tërë ato ditë grevë në sallën e Parlamentit vetëm kur panë se mund t‘u rrezikohej rizgjedhja e tyre si deputetë? Nuk duan të kuptojnë në kohën e duhur e për gjënë që duhet as deputetët tanë të nderuar me një barrë mend, apo nuk janë të detyrueshme dhe për ta detyrat qytetare?...

Ja pse sa kohë që nuk duam të kuptojmë, do ta pësojmë. Do ta paguajmë këtë mungesë të vetëdijes qytetare, po nuk deshëm të kuptojmë se detyra e parë e qytetarit është protesta kundër padrejtësisë, ngado që të vijë ajo. Do ta paguajmë gjithmonë, sa kohë që nuk duam të kuptojmë apo të bëjmë sikur harrojmë përgjegjësinë qytetare. Sepse, sikundër thotë një i urtë, edhe idetë më të bukura në këtë botë ecin mbi dy këmbë njerëzore, por, kur ato këmbë janë të shtrembra, nuk shkohet dot pas tyre as për idetë më të bukura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›