E Diel, 1 Nëntor 2026

TE MBROSH "PERBINDESHIN" E FJALES SE LIRE

Dhuna e ushtruar nga një milioner mbi gazetarin Mero Baze ka ngjallur një debat që në thelb reduktohet në dilemën: A duhet protestuar apo jo ndaj kësaj dhune? A është dhuna kundër gazetarit Baze një krim mbi të apo ajo është një dhunë që ai e meriton? Nuk më kanë habitur fare opinione të rëndomta njerëzish të zakonshëm që shprehen se Baze gjeti hundëleshin që kërkonte prej vitesh duke abuzuar me lirinë e fjalës për të shpifur deri edhe për jetë private. Shqetësimi i vërtetë është kur të tillë mendësi shprehin edhe kolegë gazetarë duke shtuar edhe se Baze është një "monstër" e fjalës së lirë. Ata harrojnë se në çdo kohë dhe për një masë njerëzish, për fanatikët e një lideri apo një tjetri, të gjithë gazetarët, në një masë apo një tjetër, janë një lloj monstre apo përbindëshi i fjalës së lirë. Një përbindësh që me atë që shkruan e thotë, ngjall (në raport të drejtë me intolerancën e një pushtetari, politikani apo fanatiku) një kreshendo pakënaqësie, zemërimi e deri edhe urrejtjeje. Edhe vetë ata gazetarë, që sot sikur lenë të nënkuptohet se Baze e kish paska hak drurin, janë të dënuar të jenë të tillë "përbindësha" që dikush digjet t‘ju japë "një dru të mirë". Edhe vetë unë që po shkruaj këto radhë, jam i dënuar të jem një "përbindësh" për dikë apo për disa, pavarësisht se nuk kam hyrë asnjëherë në jetën private të dikujt. Ndaj mos vallë kjo justifikon të gjithë ata që e urrejnë atë që themi e shkruajmë, të na dhunojnë sikundër dhunuan Mero Bazen?

***

Në demokraci gazetarët janë një shqetësim për pushtetin, për zyrtarët e korruptuar, por edhe për liderë opozitarë që investohen kundër fjalës së lirë. Të mendosh se marrëdhëniet e gazetarisë me politikën në përgjithësi, por edhe me biznesin, mund të jenë gjithnjë "grurë" do të thotë se nuk ke kuptuar asgjë nga demokracia liberale dhe roli i gazetarisë në të si pushtet i katërt kontrollues dhe denoncues i të bërave dhe të pabërave i qeverive dhe pasunarëve të lidhur me to. Nuk është qeveria e mirë apo Kryeministri i mirë, lideri i mirë, që garantojnë lirinë e medias. Të gjithë këto pretendime janë forma të rafinuara populizmi. Lirinë e medias e garanton, mbi të gjitha, sistemi i institucioneve të pavarura që kontrollohen dhe balancohen reciprokisht dhe një opinioni publik që e ka kuptuar se sa e rëndësishme është për lirinë dhe të drejtat e veta (për punën, pronën, jetën dhe çfarëdo halli) liria e medias. Edhe në demokracitë më të zhvilluara, media përfaqëson një bezdi dhe rrezik për qeveritë. Po të mos qe e tillë as nuk do t‘i duhej kurrkujt. Media nuk është një shqetësim për pushtetet madje politikën në përgjithësi (madje bëhet një vegël e dashur e tyre) vetëm kur e kontrollojnë, pra kur nuk është më e lirë. Të mos harrojmë se ishin gazetarët ata u bënë shkaktarë të dorëheqjes së Presidentit Nikson. Gazetarët krijojnë kurdoherë probleme ndaj mllefi kundër tyre, nuk ka munguar dhe nuk do mungojë asnjëherë, sado e përparuar të jetë demokracia. Prandaj s‘ka rëndësi "dashuria" për fjalën e lirë që liderët shprehin në publik. Të tjera gjëra thuhen larg syve dhe veshëve të publikut, në privatësinë e zyrave dhe ministrive. Kujtojmë "skandalin" e Presidentit Bush që "konfidencialisht" e quajti "trap" një gazetar pa e ditur se e kish mikrofonin hapur. Një inkonveniencë teknike që zbuloi sinqeritetin e një marrëdhënie të pasinqertë me median, tipike për të gjitha pushtetet. Gazetari do të jetë gjithnjë një "përbindësh" për dikë në majë apo në bazë të piramidës së shtetit.

Prandaj edhe profesioni i fjalës së lirë nuk mbrohet dot nëse nuk mbrohet dot nëse nuk dalim në mbrojtje të një gazetari edhe pse ai mund të jetë bërë i urryer si një "monstër" për dikë apo për disa. Natyrisht, duhet dalluar gazetari që bëhet një monstër e fjalës, sepse abuzon me të, nga gazetari që e bëjnë monstër jo se shpif, por sepse nuk shpreh atë që i pëlqen liderit, partisë, qeverisë apo fanatikut. Por sido që të jetë, shpifja nuk luftohet duke dhunuar qoftë edhe gazetarin që shpif. Sepse shpesh kufiri mes të vërtetës dhe shpifjes, aq më tepër në një shtet pa hetim dhe drejtësi të pavarur, mbetet mjaft i paqartë. Tolerimi i dhunës kundër një gazetari që shpif do të qe edhe tolerim i dhunës mbi gazetarin që "shpif". Bashkë me të njomin do të digjej edhe i thati. Bashkë me shpifjen do hante dru edhe e vërteta. Dhuna fizike dhe jo fizike (madje kjo e fundit është edhe më e rrezikshmja), do të ishin një "kimioterapi" që do asgjësonte bashkë me shpifjen edhe qelizat e lirisë së fjalës.

***

Ndaj liria e fjalës nuk mbrohet dot pa mbrojtur edhe të gjithë "përbindëshat" e fjalës së lirë. Po si t‘ia bëjmë me ata që shpifin dhe abuzojnë me lirinë e fjalës? Ata që abuzohen, presidentë, kryeministra, ministra, politikanë, deputetë, zyrtarë, biznesmenë, milionerë, varfanjakë, qytetarë duhet t‘i drejtohen ligjit, drejtësisë. Duhet të veprojnë si kundër çdo lloj padrejtësie. Nga ana e tyre gazetarët duhet të bëjnë ç‘është e mundur, duke vënë në lëvizje kodet e etikës (që për fat të keq nuk e bëjnë) që të parandalohet abuzimi me fjalën e lirë dhe që licenca për të thënë të vërtetën të mos degjenerojë në një licencë për të shpifur. Por nuk mund të pranoj se e kam hak që të dhunohem si gazetar nga ndonjë "hundëlesh" fanatik, sepse më konsideron monstër ngaqë i kritikoj "udhëheqësin e dashur të partisë dhe popullit". Nuk mund të pranoj si të drejtë për vete dhe kolegët e mi, të dhunohem heshturazi me anë të diskriminimit të familjes, mohimit të të drejtave të punës dhe pronës dhe lirive të tjera njerëzore, sepse refuzoj të shërbej për dikë në pushtet apo në opozitë, sepse jam bërë një përbindësh për kreun e pushtetit apo edhe kreun e opozitës që nesër mund të vijë në pushtet. Pak kohë më parë u ndodha në një debat televiziv për problemin e protestave të opozitës lidhur me hapjen e kutive. Shpreha edhe kritikat e mia për Edi Ramën si lider i PS. Pas debatit, mora edhe "inputet" e zakonshme me mesazhe nga të njohur dhe të panjohur. Një mik i imi, sot politikan i majtë, më dërgoi edhe mesazhin e revoltuar të dikujt, që ai e raportonte edhe si të një kolegu pra, të një gazetari: Kafshë, kafshë është ky Andrea Stefani, kafshë! Kaq qe mesazhi që këtë herë vinte nga e majta dhe nga dikush që, jam i bindur, i ka ardhur mirë për vite me radhë nga kritikat që i kam adresuar Sali Berishës. Por ja që nuk mund të mos vijë një ditë kur gazetari bëhet kafshë, pra një përbindësh, edhe për simpatizantin e djeshëm të cilit, i duket e padrejtë që gazetari, duke respektuar lirinë e fjalës, të kritikojë një ditë jo vetëm Berishën, por edhe liderin e tij të dashur, Edi Ramën. Është një arrogancë sa vulgare aq edhe fyese. Ndaj si mund ta mbroj lirinë time si gazetar pa mbrojtur edhe "përbindëshin"? Prandaj do ta mbroj lirinë e "përbindëshit" për të thënë atë që mendon, sepse nuk mund të mos jem edhe unë një "përbindësh"!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›