SAC, pagesë vetëm 1700 dollarë
Transaksioni i fundit u bë më 2004 me shtetin federal të Karolinës së Jugut“Southern Ammunition Company” me qendër në Karolinën e Jugut, në SHBA, ka qenë një firmë fantazmë dhe financat e saj kanë qenë trokë. Ndërsa në Shqipëria ajo prezantohej si kompania e specializuar për demolimet dhe si firmë e specializuar për çarmatimin e vendit, ajo në realitet ishte një firmë e rrënuar.Nëse kërkon në www.usaspending.gov , ku publikohen kontratat federale të firmave, aty firma në fjalë është përmendur vetëm një herë, në vitin 2004. Ka bërë vetëm një transaksion (pagesë) dhe vlera e saj ka qenë 1700 dollarë amerikanë.
Ky ka qenë aktiviteti tregtar i “Southern Ammunition Company” dhe biznesi që ajo ka bërë me shtetin federal të Karolinës së Jugut, me objekt shitjen e arkave; ndoshta arka fishekësh. Ajo, në faqen e saj në internet, prezantohet si kompania që shet municione të kalibrave të ndryshme. Por nëse tenton të porosisësh ndonjë produkt në sajtin www.southernammo.com , përgjigja do të jetë se nuk ka gjendje municione të tilla, si, bie fjala, për pushkë të kalibrit 308, 223, fishekë 9 mm për pistoleta, madje as për aksesorë të tjerë. Sipas të dhënave për profilin e shoqërisë amerikane, ajo ishte themeluar në vitin 1975 dhe linja e biznesit ishte shitja e biçikletave dhe pajisjeve për armët sportive, por edhe nëse porosit këto produkte, nuk merr përgjigje. Nëpër forume të ndryshme në internet, persona të ndryshëm që kanë tentuar të blejnë prej kësaj kompanie, kanë marrë përgjigje negative, që tregon se ajo e kishte vetëm për koperturë këtë biznes.
Kjo e dhënë e nxjerrë nga bilancet tregtare të shtetit amerikan pason të dhënat e publikuara një ditë më parë në gazetën “Shekulli” se pas “Southern Ammunition Company”, dhe Patrick C Henry III, fshihej kompania fantazmë, që kishte shitur emrin amerikan, për të përfituar nga trafikun e armëve dhe municioneve në Shqipëri. Edhe selia që ka prezantuar në faqen e internetit, një ndërtesë njëkatëshe me tulla, e vendosur në rrugën kryesore të një rrugë tregtare, nuk ekziston në vendin ku pretendohet të jetë.
Kompania kishte patur probleme të shumta me organet tatimore dhe është paditur 9 herë nga organet tatimore amerikane, për mos-shlyerje të detyrimeve për llogari të shtetit. Në 12 muajt e fundit “Southern Ammunition Company”, kreu 15 pagesa, në një total 37300 dollarë amerikanë, ku gjysma ishin për përdorim makinash, blerje letre apo shlyerje faturash për internet dhe letër shkrimi.
Fantazma amerikane, Mediu e dinte
Niveli shumë i ulët tregtar i firmës amerikane dihej nga Ministria e Mbrojtjes dhe ministri i asaj kohe, Fatmir Mediu. Ish-ministri e kishte paraqitur në qeveri profilin e “SAC”, si një kompani që demontonte municionet e kalibrit të vogël me anë të metodave të ndarjes mekanike, pa impakt në mjedis, duke instaluar makinat e pajisjeve të saj dhe për këtë procedurë të ketë edhe përfitimin e saj nga produktet e rezultuara nga demontimi dhe ajo do të bënte edhe derdhjen e një vlere të caktuar, në favor të Buxhetit të Shtetit. Sipas ministrisë, oferta e bërë nga “Southern Ammunition Company” për kryerjen e demontimit, demilitarizimit, parashikon përdorimin e një metode mekanike e të makinerive të posaçme e për rrjedhojë, përfitimin e nënprodukteve nga ky demontim si gëzhojat, plumbat, barutet etj., që mund të kenë një vlerë tjetër përdorimi”.
Ky prezantim bëhej disa muaj pas themelimit të shoqërisë së SAC me “Albademil”, që ishte regjistruar në 28 dhjetor 2006, si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar dhe kohëzgjatje të pacaktuar. Firma e “fuqishme” amerikane do të ishte pjesëmarrëse
Me 25 për qind të kapitaleve, ndërsa partneri shqiptar me 75 për qind.
Ajo nuk bëri asnjë pagesë në favor të Buxhetit të Shtetit shqiptar, por vetëm përfitoi çerekun e aksioneve, për të shitur “patentën” amerikane për armatimet.