E Diel, 1 Nëntor 2026

SEEMO: Të shqetësuar për padinë penale ndaj gazetares Çela

Share

Oliver Vujovic

Një nga organizatat më të njohura të mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve ka reaguar në mbrojtje të gazetares Lindita Çela, e cila është paditur nga Drejtori për Marrëdhëniet me Publikun në kryeministri, Gjovalin Prenga. Organizata e Medias për Europën Juglindore (SEEMO), me qendër në Vjenë, nuk harron të theksojë se kjo është padia e parë penale që kur Berisha erdhi në pushtet. Për më tepër, është një padi penale që vjen në një kohë kur me ligj paditë e tilla janë shfuqizuar dhe tani ka vetëm padi civile.

Më 7 tetor 2011, Çela raportoi për një konflikt brenda agjencisë së legalizimeve ALUIZNI. Ish- kreu i ALUIZNI-t kishte akuzuar zëvendësin e tij se kishte lidhje me aparatin komunist. Pasi e pushoi nga puna, drejtori shpërndau një dosje për media ku ishin emrat e disa njerëzve që kishin bashkëpunuar me shërbimet sekrete. Emri i Prengës ishte në listë. Çela raportoi se si zyrtarët përdorin dosjen për të kërcënuar dhe publikoi emrat, thuhet në reagimin e SEEMO.

Më tej SEEMO thekson se mirëpret vendimin për të amenduar ligjin për shpifjet, por shpreh shqetësim se sërish ka akuza penale ndaj një gazetareje.

Dy muaj më herët, Berisha tha: Shpreh kënaqësi që vitin e shkuar nuk pati asnjë proces të administratës sime ndaj medias dhe ju siguroj se nuk do ketë sa kohë jam në pushtet. Një muaj më vonë, Drejtori për Marrëdhëniet me Publikun në kryeministri depozitoi një padi penale ndaj Çelës, thuhet në njoftimin e SEEMO.

Sekretari i Përgjithshëm i SEEMO, Oliver Vujoviç, tha: Mirëpres vendimin e autoriteteve shqiptare për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes. Por jam i shqetësuar se të njëjtin muaj që kalojnë në Kuvend mendimet, ngrihet akuza penale ndaj një gazetareje. I bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të mbajnë premtimet dhe të implementojnë ligjet që kanë miratuar vetë. Dua të shtoj se rritja e akuzave sjell vetëcensurë dhe nuk kontribuon në një media të lirë dhe për demokracinë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›