E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Prindërit e të anëtarësuarve në PS kërcënohen me largim nga puna

Share

Rama me të rinjtë në Poliçan: Për të gjetur një vend pune nuk mjafton të kesh aftësi dhe vullnet për të punuar por duhet të kesh lidhjet e duhura

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në vazhdën e turit të takimeve është ndalur në qytetin e Poliçanit për të shpërndarë kartat e anëtarësisë për 200 anëtarë të rinj të Partisë Socialiste. Rama gjatë fjalës së tij ka prekur pikat më shqetësuese si për të rinjtë, po ashtu dhe për prindërit e tyre. Kreu i PS tha se jo të gjithë prindërit janë entuziast për hyrjen e fëmijëve të tyre në PS. Kjo jo sepse nuk kanë bindje të tilla, por nga frika e papunësisë, varfërisë, çmimeve të larta e korrupsionit. Sepse po u morën me punët e përbashkëta mund të përballen me fuqinë e pushtetit për ti poshtëruar apo përjashtuar nga rrugët që ata meritojnë të ecin. E vërteta është se në rast se të gjithë, posaçërisht gjenerata juaj, do ta dëgjonte zërin e kësaj frike, jo vetëm asgjë nuk do ndryshonte për mirë në familjet tuaja, por përkundrazi. Një ditë, që sot duket e largët, kur edhe ju të bëheshit prindër do të përballeshit me të njëjtën frikë, do të përballeshit me të njëjtat vështirësi dhe do të përballeshit me të njëjtat pamundësi për ti plotësuar fëmijëve tuaj atë që sot prindërit tuaj nuk ua plotësojnë dot. A e dini pse? Jo sepse janë të paaftë, jo sepse janë dembelë, jo sepse nuk duan me gjithë forcë e zemrës tua plotësojnë por sepse nuk munden. I kanë këmbët e lidhura nga kërcënimi i papunësisë, varfërisë, çmimeve të larta, i korrupsionit dhe i frikës që vjen bashkë me to. Ju jeni këtu për të luftuar edhe për prindërit tuaj. Ju jeni këtu për të luftuar që edhe prindërit tuaj të mund ta shohin një ditë të bardhë përpara sesa të bëhen gjyshër e gjyshe dhe edhe prindërit tuaj të mund të pretendojnë njësoj si ju, që nesër të marrin atë që meritojnë, u shpreh Rama.

Duke i falenderuar për anëtarësimin në PS kreu socialist u ndal dhe tek një tjetër shqetësim shumë serioz i rinisë shqiptare. Rama u shpreh se tregu i punës sot është i pandershëm, se për të gjetur një vend pune nuk mjafton të kesh aftësi dhe vullnet për të punuar por duhet të kesh lidhjet e duhura.

Duhet të merresh me një parti ose një tjetër edhe pse ato parti nuk kanë asgjë të përbashkët me ty, me ëndrrat dhe ambiciet e tua. Por ky realitet mund të ndryshojë, nëse bëhemi të gjithë bashkë. Një Shqipëri ku mundësia për të konkurruar ndershmërisht për një vend pune është e mundur nëse bëheni pjesë e PS, u shpreh Rama. “A mund të ndodhë që në Shqipëri të ketë për ne mundësi për të konkurruar njësoj si gjithë të tjerët, pavarësisht se jemi nga ky qytet I vogël apo nga një fshat këtu pranë dhe pavarësisht se jemi fëmijë prindërish të panjohur?

Sigurisht që është e mundur. Por është e mundur vetëm në qoftë se ju nuk do ta braktisni fushën e betejës që keni zgjedhur duke hyrë në PS dhe do të bëheni Partia Socialiste aty ku jetoni, në qytet apo në fshat për të marrë me vete edhe të tjerë, që zëri juaj të bëhet një korr përditë e më I madh derisa politika të vihet në dispozicionin tuaj dhe të mos ta ketë të mundur ti shmanget asaj që që ky korr kërkon. Kjo është e vetmja mënyrë! E unë jam i sigurtë se në rast se ndodh kështu, atëherë pa asnjë dyshim Shqipëria që ju dëshironi jo vetëm është e mundur por është afër. Mos mendoni se atë e ka në dorë dikush tjetër. Atë e keni në dorë ju, atë e kemi në dorë ne, atë e ka në dorë Partia Socialiste.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›