E Martë, 3 Nëntor 2026

SEUL – Shtabi i Përgjithshëm: Koreja e Veriut ka dërguar 3000 trupa të tjera në Rusi

SEUL, 27 mars /ATSH-DPA/- Udhëheqja ushtarake e Koresë së Jugut tha sot se Pheniani duket se ka dërguar 3 000 trupa të tjera për të mbështetur Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, njoftoi agjencia e lajmeve “Yonhap”.

“Nga rreth 11 000 ushtarë të Koresë së Veriut të dërguar në Rusi, janë raportuar 4000 viktima dhe rreth 3000 ose më shumë ushtarë janë dërguar shtesë në janar dhe shkurt”, thanë Shefat e Shtabit të Përbashkët (JCS) në Seul.

Në fund të shkurtit, shërbimi inteligjent i Koresë së Jugut tha se besonte se Pheniani kishte dërguar një valë të dytë trupash në vijën e frontit në rajonin Kursk të Rusisë, megjithëse në atë kohë nuk ishin në dijeni të qëllimit të saktë të dislokimit.

Sipas “Yonhap”, shtabi i përgjithshëm në Seul tha se ushtria e Koresë së Veriut kishte pësuar rreth 4000 viktima në luftën në Ukrainë.

Megjithatë, është e paqartë nëse shifra përfshin ushtarë të plagosur përveç atyre të vdekur.

“Përveç dërgimit të trupave, Koreja e Veriut vazhdon të furnizojë Rusinë me municion dhe armë në një shkallë të gjerë, duke përfshirë raketa me rreze të shkurtër veprimi, obus vetëlëvizës dhe raketahedhës”, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›