SHBA – Biden zgjeron programin e faljes së borxheve të studentëve me afrimin e zgjedhjeve

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti i SHBA Joe Biden, duke bërë fushatë për rizgjedhjen në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi sot se ai po zgjeronte programin e tij për të eliminuar borxhin e kredisë studentore për 35 000 persona të tjerë.
‘’Kjo masë e fundit, e cila përfshin 1,2 miliardë dollarë borxh studentor, e çon në 4,76 milionë numrin e njerëzve të cilët kanë përfituar nga masat tona të ndryshme për lehtësimin e borxhit”, tha presidenti demokrat në një deklaratë.
Mes atyre që do të përfitojnë nga ky lehtësim, mesatarisht 35 000 dollarë për person, janë mësuesit, oficerët e policisë, infermierët dhe punonjësit e parë.
Njoftimi u bë sot, ditën e fundit të konventës republikane në Miluoki, ku Donald Trump u caktua zyrtarisht kandidat për zgjedhjet e 5 nëntorit.
Joe Biden u zotua “të mos ndalojë kurrë së punuari për ta bërë arsimin e lartë të përballueshëm, pavarësisht se sa herë zyrtarët e zgjedhur republikanë përpiqen të na ndalojnë”.
Në fillim të këtij viti, presidenti shpalosi programe të reja për të lehtësuar borxhin e dhjetëra milionë amerikanëve, të akumuluar për shkak të kredive marramendëse studentore.
Vrull i ri pasi Gjykata e Lartë, e dominuar nga konservatorët, zhvlerësoi propozimet e mëparshme vitin e kaluar për të eliminuar disa qindra miliardë dollarë borxhe.
Muajin e kaluar, Joe Biden anuloi borxhin studentor të 160 000 personave dhe ai kishte njoftuar tashmë lehtësimin e borxhit për 150 000 të tjerë në fillim të vitit./ /os/