SHBA – Blinken në vizitë të papritur në Irak, diskuton stabilitetin rajonal

KAJRO, 13 dhjetor /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken diskutoi sot situatën e sigurisë në Siri dhe Lindjen e Mesme – gjatë një vizite të paparalajmëruar në Irak.
“Kryeministri irakian, Mohammed al-Sudani i tha Blinken se vendi i tij synonte të mbështeste rindërtimin e Sirisë – pas përmbysjes së liderit Bashar al-Assad nga forcat rebele”, sipas një deklarate të qeverisë.
Al-Sudani, gjithashtu bëri thirrje për t’i dhënë fund çdo agresioni kundër Sirisë, duke iu referuar sulmeve ajrore të fundit izraelite.
“Sulme të tilla, pavarësisht origjinës së tyre, rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, tha ai.
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) tha në një deklaratë se udhëtimi i Blinken synonte angazhimin e SHBA-së ndaj partneritetit strategjik SHBA-Irak për sigurinë, stabilitetin dhe sovranitetin e Irakut.
Gjatë bisedimeve në Bagdad gjithashtu u nënvizua mbështetja e qëndrueshme e SHBA-së për t’u anagazhuar me të gjitha komunitetet në Siri – për të krijuar një tranzicion gjithëpërfshirës.
Udhëtimi i Blinken në Irak pasoi vizitat në Jordani dhe Turqi.
Sipas Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, SHBA-ja ka rreth 900 ushtarë të stacionuar në Siri për të luftuar grupin terrorist Shteti Islamik në rajon.
Presidenti Joe Biden tha se trupat do të qëndrojnë në Siri për momentin, edhe pas rënies së al-Asaad.
Në Irak, SHBA-ja gjithashtu ka baza – si pjesë e një koalicioni ushtarak ndërkombëtar, por planifikon të zvogëlojë gradualisht praninë e saj atje. //a.i/