E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Harris: Edhe një republikan në administratën time

UASHINGTON, 30 gusht /ATSH-ANSA/ – Kandidatja demokrate presidenciale, Kamala Harris dhe zëvendësi i saj, Tim Walz morën notë pozitive në intervistën e tyre të parë të shumëpritur, por pa shënuar ndonjë moment të rëndësishëm.

Kjo ndoshta edhe për fajin ose meritën e spikeres së CNN, Dana Bash, e cila nuk u ngut dhe falë një formati të regjistruar paraprakisht, në një atmosferë ndoshta tepër familjare dhe të ndërthurur me rindërtime të momenteve të spikatura politike të Harrisit.

Lajmi i vetëm i vërtetë është njoftimi i kandidates së Partisë Demokratike se ajo synon të emërojë një republikan në administratën e saj, siç bëri edhe Barack Obama me Robert Gates në Departamentin e Mbrojtjes.

“Kam kaluar karrierën time duke mirëpritur diversitetin e opinioneve. Mendoj se është e rëndësishme të kemi njerëz në tryezë që kanë mendime dhe përvoja të ndryshme kur merren disa nga vendimet më të rëndësishme. Dhe mendoj se do të ishte një përfitim për publikun amerikan që kam një republikan në kabinetin tim”, tha ajo.

Harris më pas pranoi disa ndryshime në pozicionet e saj politike, pasi Trump i kundërshton ato, por i shpjegoi ato me përvojën e saj si zëvendëspresidente dhe doli me garanci se vlerat e saj nuk kanë ndryshuar.

”Për shembull, kam besuar gjithmonë se kriza klimatike është reale, një çështje urgjente”, tha ajo duke përmendur ligjet dhe investimet e administratës Biden për këtë çështje.

Harris u zotua të zbatojë ligjet për njerëzit që kalojnë ilegalisht kufirin, edhe nëse në të kaluarën ajo ishte për dekriminalizimin e kësaj dukurie.

”Duhet të ketë pasoja”, mendon tani Harris.

Për sa i përket akuzave seksiste dhe racore të manjatit, ajo i hodhi poshtë ato si “të njëjtin skenar të vjetër dhe të rraskapitur”.

”Amerikanët janë gati të marrin një rrugë të re dhe të ecin përpara, jo me Trumpin”, theksoi Harris duke përsëritur se prioriteti i saj kryesor, që nga dita e parë në Shtëpinë e Bardhë, do të ishte ”mbështetja dhe forcimi i klasës së mesme”.

Në frontin e politikës së jashtme, nuk kishte pyetje për Ukrainën, ndërsa për Lindjen e Mesme, Harris përsëriti se “duhet të arrihet një marrëveshje për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve”, duke pretenduar të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur dhe duke rifilluar zgjidhjen me dy shtete.

Walz luajti të njëjtin rol thuajse hap pas hapi duke thënë se ai ishte “tepër krenar” për 24 vitet e tij në Gardën Kombëtare, por duke iu shmangur pyetjes nëse ai kishte mbajtur armë në luftë, siç kishte thënë në të kaluarën.

“Gramatika ime nuk është gjithmonë korrekte”, tha ai.

Më pas, ai mbrojti djalin e tij 17-vjeçar, i cili vuan nga çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes dhe u tall nga republikanët për reagimin e tij të fortë emocional në kongres për të parë të atin në skenë.

”Ai moment e bëri tim bir të kuptonte çfarë është vërtet e rëndësishme”, tha Walz./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›