E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Musk: Vetëm AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë

NJU JORK, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Multimiliarderi Elon Musk provokoi sot një stuhi politike në Gjermani, pasi tha se vetëm partia e ekstremit të djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD) mund ta shpëtojë vendin.

”Vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”, shkroi Musk në platformën e medias sociale X, të cilën e bleu në vitin 2022.

AfD është në vendin e dytë në sondazhet gjermane me rreth 19%, dy muaj përpara zgjedhjeve të parakohshme të planifikuara për më 23 shkurt.

Megjithatë, partitë e themeluara në Gjermani kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë, e cila është nën hetim si një grup i dyshuar ekstremist i krahut të djathtë nga shërbimet sekrete të vendit.

Kandidatja e AfD për kancelare, Alice Weidel, iu përgjigj Musk të premten se “po! Ju keni absolutisht të drejtë”.

Ajo publikoi një video vijuese prej 30 sekondash drejtuar Musk, në të cilën ai lavdëroi AfD-në dhe i uroi popullit amerikan “Gëzuar Krishtlindjet”.

Musk më pas ndau videon me 200 milionë ndjekësit e tij në platformë.

Në një konferencë për shtyp në Berlin, kancelari gjerman Olaf Scholz u tha gazetarëve se liria e mendimit “vlen edhe për multimiliarderët që thonë edhe gjëra të gabuara dhe që nuk përmbajnë këshilla të mira politike”.

Zëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann tha më herët se nuk ishte hera e parë që Elon Musk komentonte politikën gjermane në X./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›