SHBA – NYT: Trump anulon mbrojtjen e përkohshme për mijëra venezuelianë

UASHINGTON, 29 janar /ATSH-ANSA/ – Sekretarja e Brendshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kristi Noem ka anuluar zgjatjen e statusit të përkohshëm të mbrojtjes që gëzojnë më shumë se 600 000 venezuelianë, që ishte zgjatur për 18 muaj nga ish-presidenti Joe Biden, disa ditë para ardhjes së pasardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, sipas gazetës amerikane ”New York Times”.
Statusi, i cili mbron nga dëbimi dhe garanton të drejtën e punës, u jepet shtetasve të huaj, siguria e të cilëve nuk u garantohet nëse kthehen në vendin e tyre për shkak të konfliktit, fatkeqësive natyrore ose kushteve të tjera të jashtëzakonshme.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kishte shfuqizuar tashmë mbrojtjen e përkohshme të mijëra salvadoranëve, haitianëve dhe nikaraguasve.
Sipas qendrës kërkimore ”Pew”, në mars 2024, rreth 1,2 milionë persona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën ose kishin të drejtë për këtë status.
Shumica e tyre ishin venezuelianë./ a.jor.