SHBA – Në intervistën e parë pas sulmit të Trump, Biden kritikon retorikën e rivalit

UASHINGTON, 16 korrik /ATSH-DPA/- Pavarësisht thirrjeve të tij të fundit për unitet pas atentatit ndaj Donald Trump – presidenti i SHBA-së Joe Biden nuk u përmbajt dje në një intervistë dhe akuzoi rivalin e tij republikan për retorikë nxitëse.
“Trump thotë se do të ketë gjakderdhje nëse ai humbet”, i tha Biden prezantuesit të “NBC News” Lester Holt, dy ditë pasi Trump u plagos nga një sulmues në një tubim elektoral në Pensilvani.
“Pas sulmit ne duhet të ulim tensionet në politikën tonë”, tha Biden duke theksuar se ishte retorika e vetë Trump dhe jo e tij, ajo që e kishte ndezur fushatën përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
“Unë nuk jam ai që dua të bëhem diktator në ditën e parë”, tha Biden, duke iu referuar deklarateve të mëparshme të bëra nga Trump.
“Unë nuk jam ai që refuzoi të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Unë nuk jam ai që tha se nuk do ta pranonte automatikisht rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Unë nuk jam angazhuar në atë retorikë… Kundërshtari im është përfshirë në atë retorikë”, tha presidenti Biden.
Pas sulmit ndaj Trump të shtunën, Biden bëri thirrje për unitet dhe e dënoi aktin disa herë.
“Në Amerikë, ne i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në kutinë e votimit, jo me plumba”, tha Biden në një fjalim zyrtar në Zyrën Ovale të dielën në mbrëmje.
“Rruga përpara përmes vizioneve garuese të fushatës duhet të zgjidhet gjithmonë në mënyrë paqësore, jo përmes akteve të dhunës” tha ai.
Disa nga mbështetësit më të ashpër të Trump kanë akuzuar Biden se është pjesërisht përgjegjës për sulmin – për shkak të retorikës së tij.
Biden e ka përshkruar vazhdimisht rivalin e tij si një kërcënim ekzistencial për demokracinë. //a.i/