E Enjte, 5 Nëntor 2026

Raportimi i institucioneve të drejtësisë, Kuvendi mbylli punimet pas mesnate

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Kuvendi u mblodh dje në seancë plenare dhe shqyrtoi raportet e pesë institucioneve të drejtësisë për vitin 2023.

Në një seancë maratonë që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, raportuan krerët e Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK); Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD); Këshillit të Lartë Gjyqësor; Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Raporti i veprimtarisë vjetore të Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2023 u paraqit nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.

Çela theksoi se përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme, deri në 38 për qind të prokurorëve (rivlerësimi kalimtar).

“Me gjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian”, tha Çela.

Në paraqitje të Raportit të SPAK, kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, u shpreh se Shqipëria vazhdon të ketë një nivel të mirë bashkëpunimi me shtetet anëtare të BE-së, Europolin dhe Eurojust-in dhe ka marrë pjesë në një sërë operacionesh ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.

“Është bërë progres në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar, i cili duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen”, vuri në dukje Dumani.

Raporti i veprimtarisë vjetore të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD), u paraqit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i cili nënvizoi se Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka luajtur një rol proaktiv në lidhje me identifikimin dhe hetimin e shkeljeve disiplinore të kryera nga ana e magjistratëve.

Metani, theksoi se ky model pune do të vijojë edhe në vazhdim, duke respektuar parimet e një procesi të rregullt ligjor dhe mbështetur mbi një gur themeli të rëndësishëm të shtetit të së drejtës dhe demokracisë së një vendi, pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Raporti i veprimtarisë vjetore të Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2023 u paraqit nga  Naureda Llagami, e cila u shpreh se KLGJ në menaxhimin e burimeve njerëzore ka treguar shumë efektivitet sepse ka ndërmarrë hapa strategjikë dhe hapi fundit që kemi marrë së bashku me partnerët tanë, ku i kemi bërë ftesë qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit, është backlog-u (çështje të prapambetura).

“Sot kemi miratuar një strategji për backlog-u, që është një set masash administrative, infrastrukturore dhe ligjore, që kërkon të bëhemi të gjithë bashkë për të miratuar masat që t’i garantojmë qytetarit shërbimin e merituar”, theksoi Llagami.

Ndërsa raporti i veprimtarisë vjetore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë u paraqit nga kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani.

Pas diskutimit të raporteve, seanca plenare vazhdoi me diskutimet e “Javës së Gjelbër”, kushtuar çështjeve të evidentuara gjatë takimeve të deputetëve me zgjedhësit, në zonat e tyre zgjedhore.

Diskutimet u përqëndruan tek shqetësimet e ngritura nga deputetët, të cilët sollën në vëmendje problematika të evidentuara nga takimet me zonat e tyre elektorale.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 02:00./m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›