E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – “New York Times”: Trump bllokoi sulmin e planifikuar izraelit ndaj Iranit për marrëveshjen bërthamore

UASHINGTON, 17 prill /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump bllokoi një sulm të planifikuar izraelit në objektet bërthamore iraniane – në favor të negocimit të marrëveshjes me Iranin për të kufizuar programin e tij bërthamor, raportoi sot “New York Times”, duke cituar zyrtarë të administratës dhe të tjerë.

“Izraeli kishte bërë plane për të sulmuar zonat në maj”, sipas gazetës, e cila shtoi se qëllimi ishte të frenonte aftësinë e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore me një vit ose më shumë.

“New York Times” tha se ndihma e SHBA-së kërkohej jo vetëm për të mbrojtur Izraelin nga hakmarrja iraniane, por edhe për të siguruar që sulmi të ishte i suksesshëm.

Pas muajsh debati të brendshëm, Trump mori vendimin të kërkonte negociata me Iranin në vend që të mbështeste veprimet ushtarake.

SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime në Oman të shtunën e kaluar – hera e parë gjatë qeverisjes së tij, duke përfshirë mandatin e tij të parë 2017-2021. Të dy vendet i përshkruan bisedimet si “pozitive” dhe “konstruktive”.

Një raund i dytë është planifikuar të shtunën dhe sipas një burimi – takimi ka të ngjarë të zhvillohet në Romë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›