E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Partia Republikane nis sot konventën kombëtare

UASHINGTON, 15 korrik /ATSH-DPA/- Partia Republikane e SHBA-së nis sot konventën e saj kombëtare, duke krijuar terrenin që Donald Trump të konfirmohet zyrtarisht si kandidati i partisë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, vetëm disa ditë pas një tentative për vrasjen e tij.

Trump ka vendosur gjithashtu të emërojë kandidatin e tij për zëvendëspresident në ngjarjen e organizuar në qytetin e Milwaukee – në shtetin amerikan të Wisconsin.

Konventa Kombëtare Republikane katërditore hapet vetëm dy ditë pas të shtënave me armë në një tubim elektoral të Trump – ngjarje e cila tronditi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “zhytën” një fushatë tashmë të trazuar – në një territor të errët përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Para tentativës për vrasje, gara ishte mbizotëruar nga pyetjet rreth moshës dhe mprehtësisë mendore të presidentit 81-vjeçar Joe Biden – ndërsa shumë demokratë i kanë kërkuar atij të tërhiqet nga gara presidenciale.

Në ngjarjen e fushatës në Butler, Pensilvani të shtunën, një sulmues arriti të gjuante në drejtim të Trump, duke shkaktuar panik në audiencë.

Trump, 78 vjeç, u godit në vesh nga një plumb dhe mbeti i gjakosur.

Një zjarrfikës u vra – dhe dy persona të tjerë që merrnin pjesë në tubim u plagosën rëndë.

Zyrtarët e FBI-së thanë se autori, i vrarë nga agjentët e Shërbimit Sekret, ishte 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks nga Bethel Park, Pensilvani.

Motivi i tij për të shtënat nuk është ende i qartë, ndërsa hetimi i FBI-së mbetet në vazhdim.

Në vazhdën e atentatit, Biden udhëzoi Shërbimin Sekret të rishikonte masat e sigurisë për konventën e rivalit të tij republikan.

“Temat e diskutueshme që mund të largojnë disa votues republikanë, si qëndrimi i partisë për abortin ose sulmi në Kapitol nga mbështetësit e Trump në janar 2021, do të shmangen në konventë”, sipas raporteve të mediave amerikane.

Trump mbërriti në Milwaukee dje në mbrëmje. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›