SHBA – Trump: Do të bëj thirrje për unitet gjatë fjalimit të konventës së republikanëve

UASHINGTON, 15 korrik /ATSH-DPA/- Pas atentatit ndaj tij, ish-presidenti Donald Trump tha se ka hequr dorë nga planet për të folur rreth asaj – se sa e keqe është administrata aktuale amerikane – duke iu referuar një fjalimi të planifikuar në Konventën Kombëtare Republikane që bën thirrje për unitet.
“Kisha përgatitur një fjalim jashtëzakonisht të ashpër, gjithçka për administratën e korruptuar dhe të tmerrshme”, tha ai për “The New York Post”.
“Por unë e hodha atë”, shtoi ai.
Trump, 78 vjeç, tha se tani dëshiron të flasë në konventën e Partisë Republikane në favor të tejkalimit të mosmarrëveshjeve politike në vend.
“Dua të përpiqem të bashkoj vendin tonë”, tha Trump përpara konventës katërditore në Milwaukee, Wisconsin, ku ai do të emërohet zyrtarisht të enjten si kandidati presidencial republikan.
“Por, unë nuk e di nëse kjo është e mundur. Njerëzit janë shumë të ndarë”, tha ai.
Në ngjarjen e fushatës në Butler, Pensilvani të shtunën, një sulmues arriti të gjuante në drejtim të Trump, duke shkaktuar panik në audiencë.
Trump, 78 vjeç, u godit në vesh nga një plumb dhe mbeti i gjakosur.
Një zjarrfikës u vra – dhe dy persona të tjerë që merrnin pjesë në tubim u plagosën rëndë.
Zyrtarët e FBI-së thanë se autori, i vrarë nga agjentët e Shërbimit Sekret, ishte 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks nga Bethel Park, Pensilvani. //a.i/