SHBA – Republikanët rimarrin Senatin, por gara për Dhomën e Përfaqësuesve ende vazhdon

UASHINGTON, 6 nëntor /ATSH-DPA/ – Republikanët amerikanë kanë siguruar një shumicë në Senat, raportuan sot transmetuesit amerikanë, por partia ende përballet me një betejë për të mbajtur Dhomën e Përfaqësuesve, pavarësisht triumfit të Donald Trump në zgjedhjet presidenciale.
Fitorja në të dy dhomat e Kongresit do t’i jepte Trumpit fuqinë për të riformuar rrënjësisht vendin, por dhjetëra gara në Dhomën e Përfaqësuesve me 435 vende vazhdojnë ende.
”Republikanët kanë përmbysur kontrollin e demokratëve mbi Senatin pas kthimit të vendeve konkurruese në Ohio dhe Montana, dhe një fitore të mëtejshme në Virxhinian Perëndimore”, sipas parashikimeve nga transmetuesit CNN, NBC dhe CBS.
Pas rezultateve, republikanët kanë të paktën 52 vende në Senatin me 100 vende.
Kontrolli i Senatit mund t’i lejojë republikanët të zgjerojnë më tej shumicën konservatore në Gjykatën e Lartë, me potencialin për të formësuar të ardhmen e vendit për dekada.
Ndërkohë, rezultati i zgjedhjeve për Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 vendesh ishte ende i paqartë sot, me asnjërën nga partitë që nuk kishte arritur ende shumicën prej 218 vendesh për të kontrolluar Dhomën e Ulët.
Të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve ishin në dispozicion, me republikanët që mbanin një shumicë të vogël prej 220 me 212 para ditës së zgjedhjeve./ a.jor.